Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Në Austri, sot zhvillohet testi vjetor i alarmit të mbrojtjes civile

Publikuar më tetor 4, 2025Autori Rozafë Rexhepaj
Civil defense test alarm

Sot, nga ora 12:00 deri në 13:00, në të gjithë territorin e Austrisë do të zhvillohet testi vjetor i alarmit të mbrojtjes civile. Gjatë kësaj kohe, në të gjitha rajonet e vendit do të dëgjohen sinjalet e sirenave, me qëllim verifikimin e funksionimit të sistemit kombëtar të alarmit.

 

Autoritetet bëjnë thirrje për qetësi, pasi bëhet fjalë vetëm për një test rutinë, jo për ndonjë rrezik real. Qëllimi i këtij testi është të kontrollohet besueshmëria teknike e sirenave dhe të njoftohet publiku me tingujt e ndryshëm që mund të përdoren në raste emergjente.

Prej më shumë se tridhjetë vitesh, Austria ka ndërtuar një sistem të gjerë paralajmërimi dhe alarmimi, me rreth 8,300 sirena të mbrojtjes civile të vendosura në të gjitha komunat e vendit.

Përveç sirenave tradicionale, tashmë po zbatohet edhe sistemi i ri “AT-Alert”, një mënyrë moderne paralajmërimi publik që përdor teknologjinë Cell Broadcast. Kjo i mundëson autoriteteve të dërgojnë njoftime urgjente drejt e në telefonat celularë të qytetarëve, duke arritur sa më shumë njerëz në kohë reale.

 

“Sistemi i kombinuar i sirenave dhe njoftimeve në celular rrit nivelin e gatishmërisë së Austrisë ndaj emergjencave dhe siguron komunikim të shpejtë me qytetarët në rast fatkeqësish natyrore, aksidenteve të mëdha apo rreziqeve të tjera”, thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Austrisë.

Për më shumë informacione mund të vizitoni: www.at-alert.at.

Më shumë

Security Austria