Vienna, Austria | 06 qershor 2026
HAJDE

Penesta Dika: Studiuesja që i dha vend në histori artit digjital

Nga muzika klasike tek inteligjenca artificiale dhe arti kompjuterik, rrugëtimi i Penesta Dikës është histori këmbënguljeje, kurioziteti dhe sfidimi të kufijve akademikë. Në një intervistë për HAJDE, ajo tregon për rrugëtimin e saj jo të lehtë drejt suksesit.
Publikuar më maj 19, 2026Autori Majlinda Aliu
Prifili

Sot, ajo konsiderohet ndër studiueset pioniere që ka kontekstualizuar artin digjital brenda historisë së artit, duke ndërtuar ura mes estetikës klasike dhe teknologjisë.

“Sot kur i rikthehem punës sime, ndjehem e befasuar me punën që kam bërë”, thotë ajo, ndërsa kujton fillimet në Universitetin e Vjenës.

Sfida e parë ishte zgjedhja e temës së magjistraturës. Në Universitetin e Vjenës, ku ajo studioi histori arti, studimet ishin të fokusuara kryesisht në periudhat klasike.

“Literatura ndalej tek veprat e krijuara para viteve 1970. Pikërisht aty fillonte interesi im”, kujton Dika.

 

Foto nga librit i autorit Peter Weibel et al Ekspozita „ANTopolis" me veprat e Christa Sommerer dhe Laurent Mignonneau, MQ Wien kuruar nga Penesta Dika dhe Klaus Krobath

 

Kërkimi për artin digjital e çoi tek veprat e Herbert W. Franke, shkencëtar, artist dhe bashkëthemelues i Ars Electronica Center në Linz. Takimi me punën e tij i riktheu kujtime nga fëmijëria.

“Babai im programonte drejtëza dhe bashkë bënim eksperimente me këtë lloj arti. Kur pashë veprat e Franke-s, mu kujtua Penesta e vogël duke vrojtuar ekranin e kompjuterit. Atëherë e kuptova se arti kompjuterik ekziston dhe këtë dua ta studioj.”

Por bindja personale nuk mjaftonte. Gjetja e një mentori të gatshëm për ta mbështetur këtë temë ishte sfidë më vete.

“Mentori më pyeti: ‘Zonja Dika, a jeni e sigurt që ekziston arti kompjuterik?’ Në çdo prezantim më është dashur të dëshmoj se ky lloj arti ekziston.”

Sot ajo e kupton hezitimin e asaj kohe.

“Ky studim ishte risi dhe mungonte baza shkencore për ta mbështetur. Universiteti i Vjenës atëherë ishte shumë më i mbyllur ndaj koridoreve të reja të hulumtimit.”

 

Në foto: Penesta Dika

 

Kur erdhi në Austri, Penesta Dika nuk kishte planifikuar të bëhej studiuese e artit digjital. Për tetë vite kishte luajtur flautë në Kosovë dhe Vjena, qyteti i muzikës klasike, dukej destinacioni ideal.

“Kam ardhur për muzikë. Por rrethanat ndryshuan.”

 

Një katalog me programet universitare të Vjenës i hapi horizonte të reja.

“Historia e artit ma zgjoi kërshërinë. Aty mu hap diapazoni për profilizim në studime.”

Megjithatë, realiteti i jetës studentore ishte krejt tjetër nga ajo që kishte imagjinuar.

“Në Prishtinë isha mësuar të luaja flautën në ambiente me dritë natyrale. Në Vjenë duhej të futesha dy kate nën tokë, në një dhomë pa dritare, për të ushtruar me orë të tëra. Kjo më shtyu ta lë flautën pas vetes.”

Nëse Vjena ishte konservative ndaj artit digjital, Linzi përfaqësonte të kundërtën.

“Nëse e marr vetëm Vjenën, nuk do të thosha që mundësitë për studimin e artit digjital janë të mira. Ndërsa Linzi, vetëm një orë larg, e ka qendrën botërore të artit elektronik.”

Pikërisht për këtë arsye ajo vazhdoi doktoraturën në Linz. Në vitin 2006 prezantoi veprën e saj të parë të artit digjital në Ars Electronica Center.

Studimi i artit digjital kërkonte qasje krejtësisht tjetër.

“Veprat digjitale janë në lëvizje dhe jo lineare. Kanë softuer dhe qarqe elektrike prapa vetes, gjëra që nuk i kishim mësuar gjatë studimeve.”

 

Foto e realizuar në ekspoziten "KosovArt" në vitin 2016 në galerinë Lukas Feichtner, kuruar nga Penesta Dika 

 

Ajo studioi vetë softuerët dhe mënyrën se si zhvilloheshin grafikat kompjuterike.

“Jam ndër femrat e para në botë që kam pasur një qasje të tillë ndaj këtyre veprave. Deri atëherë, ato përshkruheshin kryesisht nga vetë artistët. Unë i kam radhitur në histori dhe i kam krahasuar me artin klasik.”

Për të, teknologjia nuk e zëvendëson artin, por bëhet mjet i ri shprehjeje. “Teknologjia digjitale mund të shihet si një brushë që hedh ngjyrën mbi pëlhurë.”

Hulumtimi i saj për Herbert W. Franke u shndërrua në libër. Libri u përfundua në vitin 2003, ndërsa në vitin 2007 ajo u ftua ta publikojë në Berlin. “Kjo më gëzoi shumë, sepse mu shpërblye këmbëngulja për të dëshmuar që arti kompjuterik ekziston,” thotë ajo. 

Interesi për librin e saj, u rikthye vite më vonë, pas vdekjes së artistit. “Brenda një nate u riaktivizua interesi për këtë libër.”

 

Ky hulumtim më vonë i solli asaj edhe çmimin ndërkombëtar “e-Culture Award 2023”.

“Çmimet janë motivuese. Pas çmimit mora ftesë për të mbajtur një ligjëratë online që më pas u përkthye në 15 gjuhë. U ndjeva e privilegjuar kur e pashë veten mes emrave të njohur të kësaj fushe,” shprehet Dika. 

Së fundmi, ajo ka themeluar kompaninë “Excellent Academic Supervision”, e fokusuar në mentorim akademik dhe hulumtime interdisciplinare.

“Forma e të shkruarit tashmë ka ndryshuar në universitete. Nuk mund t’ua ndalojmë studentëve përdorimin e AI, por mund t’u tregojmë si ta përdorin në të mirë të zhvillimit akademik.”

Sipas saj, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në organizimin e literaturës, strukturimin e kapitujve dhe referencimin, por jo të zëvendësojë mendimin kritik.

“AI ende nuk është në gjendje të shkruajë një ‘state of the art’ të mirëfilltë. Të gjitha duhet të kontrollohen nga ne para publikimit.”

Në punën e saj, ajo integron metoda si “digital humanities”, “citizen science” dhe “open innovation in science”, duke bashkuar teknologjinë, qytetarët dhe kërkimin shkencor.

“Studimet interdisciplinare nuk mund të realizohen vetëm me një metodë. Duhet të hapemi ndaj qasjeve të reja.”

 

Balance in Chaos- Pikturë e krijuar nga Penesta Dika, në vitin 2020

 

Duke qenë se ajo aktualisht ligjëron në Universitetin e Artit në Linz dhe në ate të Shkencave të Aplikuara në St. Pölten, ajo ka një këshillë të qartë për studentët: 

“Tema që e zgjedhni nuk është vetëm një temë diplome. Është diçka që ju përcjell gjatë gjithë jetës. Zgjidhni një temë me të cilën edhe pas 20 vitesh do të ndiheni krenarë.”

Kur kujton vitet e studimeve, Penesta Dika e pranon se rruga nuk ka qenë e lehtë.

“Kam filluar ta mësoj gjermanishten në moshën 18-vjeçare dhe pastaj kam bërë studime masteri në filozofi, ku niveli i gjuhës kërkohej të ishte mbi mesataren. Sot them me vete: si ia kam dalë?”

Megjithatë, ajo beson se brezat e rinj sot kanë më shumë lehtësi falë mjeteve digjitale dhe qasjes më të madhe në dije.

“Çdokush që ka një ëndërr të madhe nuk duhet të dorëzohet. Sfida janë ato që na rrisin. Pa këto sfida nuk do të isha Penesta që jam sot.”

Dhe sfida e radhës?

“Bashkëpunimi mes inxhinierëve, artistëve dhe kuratorëve, diçka më e madhe që mund të realizohet në vitet në vazhdim.”

Më shumë

Digitalisation Art Education Austria Albanian Linz Vienna