Vienna, Austria | 06 qershor 2026
HAJDE

Gjetja e zërit të saj përmes pianos: Udhëtimi drejt suksesit në Vjenë, i artistes së re turke, Nurniran Pinar

Në këtë intervistë për HAJDE, ajo reflekton mbi një rrugëtim të formësuar jo vetëm nga talenti, por edhe nga këmbëngulja, qëndrueshmëria emocionale dhe një përkushtim i palëkundur ndaj zhvillimit personal.
Publikuar më maj 11, 2026Autori Majlinda Aliu
Nurniran Pinar 3

 

Në një qytet si Vjena, ku muzika merr frymë nëpër sallat e koncerteve dhe jehon ndër shekuj, të dallohesh si pianiste e re nuk është aspak e lehtë. Për artisten, tashmë 23-vjeçaren Nurniran Pınar, e cila u shpërngul nga Turqia në Austri për të ndjekur karrierën si pianiste, rrugëtimi ka qenë gjithçka tjetër përveçse linear.

 

Marrëdhënia e saj me muzikën nuk nisi si një fat i paracaktuar. Pianoja hyri në jetën e saj pothuajse papritur dhe më vonë se për shumë bashkëmoshatarë të saj. “Në fakt, kam filluar më vonë se të tjerët,” thotë ajo, “por me vendosmëri dhe punë të disiplinuar, përparova shumë shpejt.”

 

Në botën tepër konkurruese të muzikës klasike, ku fillimi i hershëm shpesh konsiderohet thelbësor, kjo nisje e vonshme mund të ishte parë si kufizim. Në vend të kësaj, ajo u kthye në një burim të heshtur motivimi.

 

Vitet e saj të edukimit formal tregojnë një histori përqendrimi dhe ekselence. Nga trajnimet në konservator deri te diplomimi si studentja më e mirë e gjeneratës, ajo ndërtoi një bazë të fortë teknike dhe artistike. Pasuan garat, më pas njohja. Skenat ndërkombëtare, çmimet dhe recitalet e pozicionuan ate gradualisht mes një brezi premtues pianistësh të rinj.

 

Megjithatë, për të, arritja nuk është përcaktuar kurrë vetëm nga sukseset e jashtme. Pas çdo performance qëndron një proces i brendshëm shumë më pak i dukshëm. “Jo çdo vepër mund të interpretohet në çdo kohë,” shpjegon ajo. “Për të interpretuar diçka vërtet mirë, duhet të jesh gati si teknikisht, ashtu edhe emocionalisht.” Pikërisht kjo vetëdije e dyfishtë mbi aftësinë dhe kohën e brendshme formëson zërin e saj artistik.

 

Në foto: Nurniran Pinar 

 

Dy vepra, në veçanti, qëndrojnë në qendër të aspiratave të saj. E para është Koncerti për Piano nr. 1 i Çajkovskit, një vepër me të cilën ndihet thellësisht e lidhur. “E identifikoj veten me të,” thotë ajo. “Në ngritjet dhe uljet e saj, ndiej një karakter të fortë dhe të drejtë.” E dyta është “Flauti Magjik” i Mozartit, jo vetëm si vepër muzikore, por edhe si një ëndërr e lidhur me një nga skenat më ikonike të Vjenës. “Interpretimi i saj në Operën Shtetërore të Vjenës është një nga synimet e mia më të mëdha.”

 

Zhvendosja në Vjenë shënoi një pikë kthese vendimtare. Ishte një hap i ndërmarrë në kërkim të diçkaje më të madhe, por që solli edhe peshën e vet. “Të jetosh vetëm në një qytet si Vjena dhe të mësosh një gjuhë të re është vërtet e vështirë,” pranon ajo. “Sidomos nëse je shumë e lidhur me familjen.” Viti i parë, në veçanti, e vuri në provë emocionalisht. Kishte momente kur kthimi në Turqi dukej një mundësi reale.

 

Por ambicia ka gravitetin e saj. “Lartësia e qëllimeve të tua u jep kuptim sakrificave,” reflekton ajo. “Kjo është ajo që të mban përpara.” Gjithashtu, nëna e saj, Nurcan Tüzüner, i qëndroi pranë gjatë gjithë procesit të integrimit. Nurniran e përshkruan atë si një grua të fortë dhe të pavarur, e cila vazhdimisht tejkalon veten përmes punës së palodhur.

 

Në foto: Nurniran Pinar dhe Nurcan Tüzüner (nëna e saj)

 

Synimet e saj u sfiduan gjithashtu në vitin 2025, kur filloi të punonte me mentoren Kristin Okerlund, e cila shumë shpejt filloj të ketë një ndikim i rëndësishëm artistik në jetën e saj. Bashkëpunimi i tyre u përqendrua tek shoqërimi operistik, duke hapur drejtime të reja krijuese. Por vetëm disa javë pas fillimit të këtij procesi, gjithçka ndryshoi.

“E humba mësuesen time krejt papritur,” thotë ajo. “Edhe pse njiheshim prej pak kohe, kjo më preku thellësisht.” Humbja krijoi një ndalesë, jo vetëm në punën e saj, por edhe në lidhjen me vetë muzikën. Për një periudhë, ajo u largua nga vepra që po përgatisnin së bashku.

Kthimi, kur më në fund ndodhi, mbarti një kuptim tjetër. “I premtova vetes se do ta përfundoja veprën dhe do ta interpretoja në mënyrën më të mirë të mundshme në kujtim të saj,” thotë ajo. Ajo që nisi si pikëllim, gradualisht u shndërrua në vendosmëri. Në atë moment, rrugëtimi i saj ndryshoi, nga një rrugë e udhëhequr nga arritjet, në një rrugë të formësuar nga përvoja.

 

Sot, jeta e saj profesionale shtrihet përtej skenës së interpretimit. Mësimdhënia është bërë një pjesë integrale e identitetit të saj, duke e sjellë në kontakt me studentë të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme. “Çdo student zhvillohet në mënyrën e vet,” shpjegon ajo. “Nëse do ta përkufizoja mësimdhënien, dy fjalët më të rëndësishme për mua do të ishin durimi dhe lumturia.” Pikërisht në këtë hapësirë, mes udhëzimit dhe zhvillimit, ajo gjen një lloj tjetër përmbushjeje.

 

Në të njëjtën kohë, ajo vazhdon të ndërtojë karrierën e saj si interpretuese në Vjenë. Koncertet solo, bashkëpunimet dhe puna në mjedise operistike dhe korale kontribuojnë të gjitha në një rrugëtim artistik në zhvillim të vazhdueshëm. Çdo përvojë i shton thellësi jo vetëm teknikës së saj, por edhe mënyrës se si ajo e kupton çfarë do të thotë të jesh artiste sot.

 

Në foto: Nurniran Pinar

 

Ajo që e bën tregimin e saj tërheqës nuk janë vetëm arritjet, por mënyra se si ajo i kupton ato. “Suksesi nuk është diçka fikse, është diçka që duhet të formësohet vazhdimisht përmes përpjekjes, reflektimit dhe këmbënguljes,” thotë ajo.

Dhe ndoshta pikërisht aty historia e saj rezonon më fort.

Sepse përtej garave, viteve të konservatorit dhe skenave të Vjenës, ajo që shfaqet është portreti i një artisteje ende në lëvizje, një artiste që e kupton se mjeshtëria nuk ka të bëjë me mbërritjen, por me vazhdimin e rrugës.

 

Mesazhi i saj për artistët e rinj:

“Për këdo që po ndjek rrugën e vet, veçanërisht larg shtëpisë, mos u dorëzoni. Ëndrrat tuaja janë arsyeja pse keni filluar. Vazhdoni të përpiqeni, vazhdoni të kërkoni dhe besoni se përpjekja juaj do t’ju çojë aty ku duhet të jeni,” thotë Nurniran Pinar, një artiste e re me ëndrra të mëdha për karrierën e saj të ardhshme.

Më shumë

Müzik Arts Kültür Turkey Austria