Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Fisnikët, grupi i dytë shqiptar që performon në Wiener Stadthalle

Albanian Sundowner sjell në Vjenë një tjetër grup legjendar të skenës shqiptare
Publikuar më nëntor 24, 2025Autori Majlinda Aliu
Fisniket-Vjene 2

Fisnikët, grupi rok nga Prishtina i themeluar 45 vjet më parë, elektrizuan publikun shqiptar në Vjenë me hitet e tyre të njohura, në koncertin e parë të mbajtur ndonjëherë në Wiener Stadthalle. Ky është grupi i dytë shqiptar që ngjitet në këtë skenë prestigjioze, pas Elita 5.

 

Agim Gërguri, vokalisti dhe kantautori i grupit, në një intervistë për HAJDE, rrëfen emocionet e koncertit, që për të dhe grupin ishte një përvojë e paharrueshme.

“Dhurata më e madhe për një artist është kur i gjithë publiku këndon këngët e tua. Kjo tregon se ato vazhdojnë të jetojnë,” thotë Gërguri.
“Intonimi i publikut ishte surprizë e madhe për ne, ndodh rrallë të dëgjosh një sallë të tërë që këndon kaq saktë.”

Në foto: Fisnikët në Wiener Stadthalle 

Një rikthim i koncerteve të vërteta

Bashkëpunimi mes Fisnikëve dhe platformës kulturore Albanian Sundowner ka nisur vitin e kaluar, me synimin për t’i rikthyer skenës shqiptare koncertet live në Evropë.

“Koncertet janë vendi ku artisti tregon vlerën e tij të vërtetë. Vetëm artistët e mirëfilltë e përballojnë skenën,” thekson Gërguri.

 

Nga vitet ’80 deri sot: një rrugëtim me sfida

Fisnikët u formuan në vitin 1980 dhe në fillim u ndikuan nga rrymat klasike të rock&roll-it. Këngët e tyre të para, si “Zotria juaj”, “Arta” dhe “Dada Salë”, u bënë shpejt pjesë e kujtesës muzikore shqiptare.

Por rrugëtimi i grupit nuk ka qenë i lehtë. Situata politike e viteve ’90 detyroi grupin të pauzonte aktivitetin muzikor, por jo të shkëputej prej tij.

“I kemi mbijetuar të gjitha sfidave. Dhe ja ku jemi sot,” thotë ai me krenari.

Ai shton se ajo që ka mbajtur grupin të bashkuar kaq gjatë është sinçeriteti dhe transparenca që është ndërtuar brenda ekipit. 

 

Fisnikët dhe brezit të ri

Grupi vazhdon të jetë i pëlqyer nga publiku i gjeneratës së viteve ’80 e ’90, por edhe nga brezi i ri, Gen Z, që i ka zbuluar përmes platformave digjitale.

Kjo i motivon Fisnikët të mos mbeten vetëm te repertori klasik, por të krijojnë këngë të reja. Edhe pse Gërguri nuk zbulon detaje, ai konfirmon se grupi është duke punuar në materiale të reja.

“Sfida është të gjejmë ekuilibrin mes rrymave të reja dhe frymës së Fisnikëve. Po kërkojmë një modus të ri që ruan identitetin tonë.”

 

Kritikë për muzikën e sotme

Gërguri nuk ngurron të shprehë mendimin e tij për gjendjen aktuale të muzikës:

“Viteve të fundit po mungon harmonia muzikore dhe teksti me mesazh. Shumë këngë prodhohen shpejt dhe pa shije.”

Ai iu bën thirrje artistëve të rinj të jenë më autentikë dhe të investojnë më shumë kohë në krijimtarinë e tyre.

Sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale në muzikë, ai nuk ngurron të thotë:

“Kurrë s’e kam përdorur ChatGPT për muzikë. Mendoj se është diçka kalimtare. Në fund njeriu kthehet tek krijimtaria që vjen nga shpirti.”

 

Vjena, një qendër e re e rock-ut shqiptar

Performimi i rok-grupeve shqiptare në Wiener Stadthalle po kthehet gradualisht në traditë. Pas suksesit të Elita 5, që mblodhi rreth 900 adhurues para gjashtë muajsh, edhe koncerti i Fisnikëve mbushi sallën.

Në foto: Ardian Maksuti, drejtues i Albanian Sundowner

 

Ardian Maksuti, drejtues i Albanian Sundowner, thotë:

“E pamë se njerëzit kishin pritur diçka të tillë. Ne duam të jemi pjesë e komunitetit kulturor të shqiptarëve në Vjenë, një pikë referimi për muzikën dhe artin.”

 

Koncerte të reja në horizont

Pas suksesit në Vjenë, pritet që Fisnikët dhe Albanian Sundowner të mbajnë koncerte këtë pranverë edhe në Itali dhe Zvicër.

“Në vitet ’80 e ’90, këto mundësi nuk ekzistonin për rock-un shqiptar. Sot, kur të huajt vijnë në koncertet tona, shprehin admirim për muzikën tonë,” thotë Gërguri.

Vjena, një nga kryeqytetet më të rëndësishme evropiane në kulturë dhe histori, tashmë po bëhet skenë e re për muzikën rock shqiptare, një hap i rëndësishëm për afirmimin e saj ndërkombëtar.