Vienna, Austria | 03 maj 2026
HAJDE

Tragjedi në Vjenë: Trupat e viktimave nga Kosova nisen për atdhe

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar se janë përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me rastin tragjik të ndodhur në Vjenë, ku humbën jetën disa punëtorë, mes tyre edhe shtetas të Kosovës.
Publikuar më mars 20, 2026Autori Majlinda Aliu
Accident f2

Sipas njoftimit zyrtar, në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave dhe autoritetet austriake, trupat e pajetë të shtetasve kosovarë, Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, janë nisur drejt Kosovës gjatë ditës së sotme.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 mars në një kantier ndërtimi në distriktin Alsergrund të Vjenës, kur një pjesë e konstruksionit u shemb gjatë punimeve, duke zënë nën rrënoja disa punëtorë. Si pasojë, katër persona humbën jetën, tre prej tyre shtetas të Kosovës.

Dëshmitarët okularë kanë përshkruar momentet dramatike, duke treguar se fillimisht u dëgjuan britma dhe më pas sirenat e emergjencës, ndërsa ekipet e shpëtimit u përballën me vështirësi të mëdha për shkak të rrënojave dhe betonit të freskët.

Ambasada e Kosovës në Austri theksoi se gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe familjarët e viktimave për të siguruar mbështetjen e nevojshme dhe koordinimin e procedurave.

“Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, të afërmit e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje,” thuhet në reagimin e Ambasadës.

Po ashtu, është shprehur mirënjohje për bashkatdhetarët në Austri, të cilët me solidaritetin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar kanë qenë pranë familjeve të viktimave në këto çaste të rënda.

Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit, ndërsa rasti ka tronditur opinionin publik si në Kosovë, ashtu edhe në diasporë.

Më shumë

Vienna Albanian