Vienna, Austria | 03 maj 2026
HAJDE

Organizata Ká sjell në Vjenë edhe një shfaqje teatrale në gjuhën shqipe

Shfaqja “Woyzeok”, me regji të Zana Hoxhës, do të prezantohet në teatrin Akzent në Vjenë me 27 prill, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm artistik nga Kosova për publikun evropian.
Publikuar më prill 25, 2026Autori Majlinda Aliu
Artpolis 2

Një tjetër prodhim teatror në gjuhën shqipe po gjen rrugën drejt skenave ndërkombëtare.

 

E frymëzuar nga drama klasike e Georg Büchnerit dhe e përshtatur nga dramaturgu Jack Thorne, kjo shfaqje trajton historinë e një individi të shtypur nga realiteti shoqëror. Përmes një qasjeje moderne, “Woyzeok” shndërrohet në një reflektim të fortë mbi dehumanizimin, padrejtësinë dhe presionin psikologjik që përjeton njeriu në një shoqëri shpesh të pamëshirshme.

Regjia e Zana Hoxhës i jep fokus gjendjes emocionale dhe psikologjike të protagonistit, duke ndërtuar një atmosferë të errët dhe simbolike në skenë. Elementet vizuale, të konceptuara nga Grace Rumsey, përforcojnë ndjenjën e izolimit dhe humbjes së identitetit, duke e kthyer historinë në një përjetim intensiv për publikun.

 

Shfaqja “Woyzeok” 

 

Kjo shfaqje nuk është vetëm një tragjedi personale, por një pasqyrë e problemeve universale që prekin shoqëritë moderne. Ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi shëndetin mendor, përgjegjësinë kolektive dhe mënyrën se si trajtohen individët në rrethana të vështira.

Organizatori i kësaj ngjarje kulturore, Ermal Vejsa, nga organizata Ká, thotë se sjellja e “Woyzeok” në Vjenë synon të promovojë artin teatror nga Kosova dhe të krijojë ura bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Austrisë. “Kemi vendosur ta sjellim shfaqjen ‘Vojceku’ në Vjenë sepse trajton tema universale si padrejtësia sociale, presioni psikologjik dhe dinjiteti njerëzor, të cilat janë shumë aktuale edhe sot.” 

Ermal Vejsa, Bashkëthemelues i organizatës Ká. Fotograf: Armin Kahyami.

 

Pavarësisht sfidave logjistike dhe organizative, projekti është realizuar me mbështetjen e institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë. “Sjellja e një shfaqjeje nga Kosova në Vjenë kërkon një organizim të madh dhe koordinim në shumë nivele, nga transporti i trupës prej 25 personash dhe elementeve skenike, deri te aspektet administrative dhe financiare. Nuk është një proces i lehtë, por falë mbështetjes së Arbeiterkammer, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës dhe Ambasadës së Kosovës në Vjenë, kemi arritur ta realizojmë këtë projekt me sukses, thotë Vejsa.

 

Interesimi për këtë shfaqje ka qenë i madh, jo vetëm nga komuniteti shqiptar në Vjenë, por edhe nga publiku austriak dhe ndërkombëtar. Kjo dëshmon se temat që trajton “Woyzeok” janë universale dhe arrijnë të komunikojnë përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë, përfundon Vejsa. 

 

Shfaqja do të luhet në gjuhën shqipe, me titra në anglisht për publikun e gjerë, duke e bërë atë të qasshme për një audiencë më të gjerë. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për prezantimin e kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare dhe për fuqizimin e dialogut kulturor në Evropë.

Më shumë

Theater Art