Vienna, Austria | 13 qershor 2026
HAJDE

Protestat kundër resortit luksoz të Jared Kushner në Shqipëri, mbërrijnë edhe në Vjenë, diaspora shqiptare solidarizohen me protestuesit në vendlindje

Pas protestave masive në Tiranë dhe në zonat e prekura nga projekti, shqiptarët e diasporës kanë mbajtur një protestë tek sheshi Schwarzenbergplatz në Vjenë, jo larg nga Ambasada e Shqipërisë, në shenjë solidarizimi me qytetarët dhe organizatat mjedisore që kundërshtojnë zhvillimin e projektit në ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Publikuar më qershor 6, 2026Autori Majlinda Aliu
Screenshot 2026 06 06 at 17 59 57

Kundërshtimi ndaj projektit miliardësh të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, po zgjerohet përtej kufijve të Shqipërisë.

 

Në Vjenë, një grup shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në Austri mbajtën një protestë tek sheshi Schwarzenbergplatz në Vjenë. Disa  nga parullat e tyre ishin: vazhdoni revulucionin! mbroni natyrën, mbroni demokracinë!, mos privatizoni parajsën, etj. 

 

Inicuesit e kësaj proteste në një deklaratë të përbashkët, kanë theksuar se iniciativa nuk përfaqëson asnjë parti politike apo grup interesi, por buron nga qytetarë të lirë të shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë. 

 

 

Në deklaratën e tyre për shtyp, organizatorët shprehen kundër çdo nisme që prek zonat e mbrojtura dhe dëmton biodiversitetin, duke theksuar se mbeten të lidhur me vendlindjen dhe të interesuar për zhvillimet që prekin të ardhmen e vendit.

 

Ata vlerësojnë gjithashtu angazhimin qytetar dhe rolin e brezit të ri në jetën publike shqiptare, duke theksuar se të rinjtë janë një forcë e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë dhe ndërtimin e një të ardhmeje me më shumë transparencë dhe mirëqenie. 

Pavarësisht bindjeve politike individuale, nënshkruesit (Petro Lubonja, Kelvin Zifla, Etrid Zifla, Parid Bushati, Lea Kraja, Besmir Semanaj, Landa Grembi, Ardit Buli, Mariglen Zeneli, Amy Gaxha, Sidorela Lulaj, dhe Shpetim Sula) deklarojnë se janë të bashkuar nga dashuria për Shqipërinë, respekti për demokracinë dhe dëshira për një vend ku çdo qytetar mund të jetojë me dinjitet.

 

 

 

Protesta e Vjenës është një tjetër shprehje e mbështetjes së diasporës shqiptare për mbrojtjen e zonave natyrore dhe për kërkesat e qytetarëve që kundërshtojnë projektin. 

 

Ndërsa debati vazhdon të zgjerohet, çështja e resortit të lidhur me Jared Kushner po shndërrohet në një nga temat më të ndjekura ndërkombëtarisht që lidhen me Shqipërinë gjatë këtij viti.

 

Protestat në Shqipëri kanë marrë përmasa të konsiderueshme gjatë ditëve të fundit, me mijëra qytetarë që kanë dalë në rrugët e Tiranës nën sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”. Flamingot rozë janë shndërruar në simbol të rezistencës qytetare kundër projektit.

 

 

Rasti ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe është raportuar nga media të mëdha si The Guardian, BBC, Deutsche Welle, Reuters, Financial Times dhe dhjetëra media të tjera në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Interesi i madh mediatik lidhet jo vetëm me ndikimin e mundshëm mjedisor të projektit, por edhe me faktin se investimi është i lidhur drejtpërdrejt me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.

 

 

Projekti, me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, mbështetet nga kompania e investimeve Affinity Partners e Jared Kushner dhe parashikon ndërtimin e një resorti luksoz në një nga zonat më të ndjeshme ekologjike të Shqipërisë. Aktivistët mjedisorë dhe organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë se ndërtimet mund të dëmtojnë biodiversitetin e zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, habitat i flamingove, fokës mesdhetare dhe specieve të tjera të rralla. Ndërkohë, kundërshtarët e projektit ngrenë shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe konsultimit publik gjatë procedurave të miratimit.