Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Madhësia, Fuqia dhe Dilema Strategjike e Evropës – në Epokën e Rendit të Ri Botëror

Samiti Time to Decide mblodhi në Vjenë vendimmarrës të lartë dhe politologë të njohur për të diskutuar pozicionin e Evropës dhe rolin e saj në kohët e trazuara që jemi duke jetuar
Publikuar më dhjetor 4, 2025Autori Majlinda Aliu
IMG 0848

Më 2 dhjetor, hulumtues të shquar dhe politikanë evropian u mblodhën në Vjenë për të folur për të ardhmen e Evropës. E bashkëorganizuar nga Fondacioni Erste dhe Instituti për Shkencat Sociale (IWM), ky samit gjithëditor u konceptua si një moment reflektimi mbi pozicionimin gjeopolitik të Evropës në një kontekst të paqëndrueshmërisë globale në rritje.

 

Në hapje të samitit, Ministrja austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Beate Meinl-Reisinger, paralajmëroi se rendi ndërkombëtar është duke e kaluar një transformim të thellë. “Në mbarë botën shohim rikthimin e fuqisë së të fortëve, nga e cila synojnë të përfitojnë të fortët dhe të ndëshkohet të dobëtit,” tha ajo, duke iu referuar rritjes së lëvizjeve iliberale dhe autoritare. 

Në argumentin e saj ajo shtoj se Evropa duhet të forcojë bashkëpunimin nëse dëshiron të mbetet aktor politik dhe jo të mbetet vetëm si objekt gjeopolitik. “Nëse Evropa dëshiron të flasë me fuqi, duhet të mësojë të flasë me një zë të vetëm.”

 

 

Për të ndëlidhur punën shkencore me procesin e vendimmarrjes, në këtë samit politikanët ishin përgjegjës për të bërë pyetje, dhe studiuesit duhej të ofronin një pasqyrë analitike të situatës aktuale gjeopolitike.

Në këtë kontekst, një nga debatet më të ndjekura u përqendrua tek roli i shteteve të vogla në një rend global në ndryshim. 

Paneli, i moderuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mblodhi ish-liderë rajonalë dhe akademikë të shquar për të trajtuar një çështje gjithnjë e më të rëndësishme: Si mund të ruajnë shtetet e vogla kapacitetin e tyre veprues në një botë gjithnjë e më të dominuar nga fuqitë e mëdha?

Kjo ishte një përvojë krejtësisht e re për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili ka qenë i përfshirë në politikë dhe në pushtet për më shumë se njëzet vjet.

 

Që në fillim toni i debatit ndryshoi. Duke hapur diskutimin, Rama përdori një metaforë provokuese, duke sugjeruar se “Në Shqipëri thuhet: më mirë është të jesh një m%$ sesa i vogël”, koment ky që nënkuptoj se rëndësia e shteteve të vogla është e margjinalizuar në vendimmarrjen globale. Ndonëse ky koment ishte në përputhje me stilin retorik për të cilin ai është i njohur, megjithatë vendosi një ton nënçmues që binte në kontrast me qasjen analitike të pjesëmarrësve të tjerë.

 

Ish-kancelari austriak Alexander Schallenberg reagoi me humor, por edhe me një qëndrim më të nuancuar. “Ne themi se e vogla është e bukur,” tha ai, duke argumentuar se shtetet e vogla shpesh kanë fleksibilitet më të madh për të bërë reforma. Njëkohësisht, ai pranoi se madhësia mbetet faktor në politikën e jashtme, duke theksuar se vendet e vogla duhet të rikalibrojnë vazhdimisht pozicionin e tyre përballë fuqive më të mëdha dhe të “bëjnë më shumë përpjekje” për t’u dëgjuar në arenën ndërkombëtare.

 

Nikola Dimitrov, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, e vuri lidershipin në qendër të debatit. Për shtetet e vogla, argumentoi ai, kompetenca politike nuk është opsionale. “Ndoshta shtetet e mëdha mund të përballojnë liderë mediokër, por shtetet e vogla jo,” tha Dimitrov, duke shtuar se ato duhet të udhëhiqen nga vendimmarrës të përgatitur mirë dhe të aftë për të komunikuar në mënyrë efektive me fuqitë e mëdha, nëse duan që diplomacia të sjellë rezultate konkrete.

 

Akademikët e panelit e zgjeruan diskutimin përtej retorikës politike, duke i vendosur sfidat e shteteve të vogla brenda transformimeve më të gjera strukturore të sistemit ndërkombëtar. 

 

Soli Özel, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll, e përshkroi periudhën aktuale si një moment të zgjatur tranzicioni global. “Jemi në një tjetër moment gjenezë që filloi në vitin 2015 dhe nuk i shohim ende fundin e tij,” tha ai, duke theksuar se vendimmmarja e lidershipit bëhen veçanërisht vendimtare në periudha pasigurie sistemike. Derisa shtyllat tradicionale të rendit global dobësohen, argumentoi Özel, fuqitë e vogla dhe të mesme janë duke u detyruar gjithnjë e më shumë të balancojnë aleancat dhe të përgatiten për kompromise strategjike të vështira, në një botë që ai e përshkroi si “multipolare asimetrike”.

 

Një vlerësim po aq realist u ofrua edhe nga Ivan Krastev, udhëheqës i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje. Shtetet e vogla, vuri në dukje ai, rrallëherë tërheqin vëmendje më vete, përveç në raste kur gjeografia ose kriza mund t’ua rris peshën strategjike. Si rezultat, shumë prej tyre shndërrohen në “shtete me një çështje të vetme”, dhe të kufizuara nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, atyre u ngushtohet hapësira manovruese. “Nëse nuk janë pjesë e lojërave të madhe,” theksoj Krastev, “atëherë nuk kanë asnjë rol.”

 

Debati u ashpërsua kur Rosa Balfour, eksperte e politikës dhe sigurisë evropiane, solli Hungarinë si shembull të rreziqeve me të cilat përballen shtetet e vogla brenda vetë Bashkimit Evropian. Duke theksuar përdorimin e diskutueshëm të së drejtës së vetos, ajo argumentoi se “Hungaria ia ka shitur sovranitetin e saj Rusisë, Kinës dhe ndoshta edhe Shteteve të Bashkuara.” Komenti i saj shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga Rama, i cili kundërshtoi vlerësimin e saj duke përmendur, sipas tij, standardet e dyfishta evropiane në reagimet ndaj thirrjeve për armëpushim në Ukrainë, ku krahasoj trajtimin ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orbán krahas atij ndaj presidentit amerikan Donald Trump.

Megjithatë, Balfour e zgjeroi kritikën përtej rasteve individuale, duke argumentuar se vështirësitë e Europës burojnë nga dështimi për të mbrojtur në mënyrë të qëndrueshme rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. “Jemi duke u përballur me një reagim të fortë kundër rendit liberal botëror,” tha ajo, duke paralajmëruar se rikthimi i autoritarizmit do të ndikojë në mënyrë disproporcionale tek shtetet e vogla dhe të mesme, përfshirë edhe vetë Bashkimin Evropian.

 

 

Në përgjithësi, samiti Time to Decide vuri në pah një hendek të vazhdueshëm mes diagnozës analitike dhe diskursit politik në Europë. 

 

Derisa akademikë dhe disa ish-vendimmarrës artikuluan qartë dobësitë strukturore dhe imperativët strategjikë me të cilët përballen shtetet e vogla, momentet e përjashtimit retorik veçanërisht nga z. Rama rrezikuan të errësonin seriozitetin e këtyre sfidave. 

Në një mjedis ndërkombëtar të vendosur nga hierarki gjithnjë e më të forta të pushtetit dhe norma në dobësim e sipër, mënyra se si liderët evropianë e konceptualizojnë rolin e shteteve të vogla është më shumë sesa çështje stili.

Për vendet e vogla, retorika që minimizon rëndësinë e tyre rrezikon të shndërrohet në një profeci vetëpërmbushëse. Samiti Time to Decide e bëri të qartë se sfida e Evropës nuk është vetëm institucionale apo gjeopolitike, por edhe diskursive: nëse liderët e saj janë të gatshëm të përballen me kompleksitetin, kufizimet dhe përgjegjësinë me seriozitetin që kërkon momenti.

Më shumë

Politics European union Europe Albania