Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Kush është njeriu pas konceptit “All-Inclusive” që transformoi turizmin në Turqi?

Koncepti “all-inclusive”, tani standard në shumë resorte mesdhetare, u prezantua për herë të parë në Rivierën Turke nga Dr. Cem Kinay, një sipërmarrës austriak, me origjinë turke. Në një intervistë për HAJDE, ai flet se si lindi kjo ide, për ndryshimet në turizëm pas pandemisë, si dhe projektin e tij të ri.
Publikuar më shkurt 2, 2026Autori Majlinda Aliu
Cem Kinay 1

Si lindi koncepti all-inclusive?

 

Një pushim në Amerikën Latine në fund të viteve ’80 ndryshoi jo vetëm rrugën profesionale të Cem Kinay, por edhe të ardhmen e turizmit turk.

Gjatë qëndrimit në një hotel të vogël në Republikën Dominikane, ai përjetoi për herë të parë shërbimin e pijeve pa kufi të përfshira në çmim. Ndonëse nuk kishte përvojë në hoteleri apo turizëm, kjo ide e frymëzoi menjëherë.

“Isha duke menduar për nevojat e njerëzve, veçanërisht të familjeve,” kujton ai. “Mendova sa bukur do të ishte nëse njerëzit do të paguanin një herë dhe do të merrnin përvojën e plotë të pushimit.”

 

Në foto: Cem Kinay, diku ne Turqi në vitin 1990

 

Menjëherë pas kthimit në Vjenë, ai themeloi kompaninë Magic Life Hotels. Në fillim të viteve ’90, u hapën hotelet e para në Turqi që ofronin shërbime all-inclusive. Fillimi ishte i vështirë: stafi nuk e njihte konceptin dhe duhej trajnuar të mendonte nga këndvështrimi i mysafirit, thotë ai. 

Sfidë tjetër ishte skepticizmi i turistëve. 

“Në fillim turistët hezitonin të paguanin gjithçka paraprakisht, por përvojat pozitive dhe fjala e mirë shpejt e përhapën idenë.”

Modeli pati sukses të madh dhe u përhap shpejt në gjithë Turqinë, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e turizmit.

“Në vitin 1987, në Turqi vinin vetëm disa milionë turistë. Sot janë rreth 65 milionë, dhe rreth 95 për qind e hoteleve ofrojnë paketa all-inclusive.”

Koncepti u përhap më pas në Greqi, Tunizi, Egjipt, Bullgari dhe më gjerë. Sot është i zakonshëm në Mesdhe dhe Karaibe. Kinay beson se "all inclusive" ka qenë revolucioni i vetëm i vërtetë në industrinë e hotelerisë në 35 vitet e fundit.

 

 

Si e ndryshoi pandemia turizmin?

Turizmi është shumë i ndjeshëm ndaj krizave globale dhe pandemia e ndaloi pothuajse plotësisht udhëtimin. Megjithatë, sipas Kinay, dëshira për të udhëtuar u shtua edhe më shumë krahasuar me ate para pandemisë. 

“Kur kufizimet u hoqën, kërkesa ishte më e lartë se më parë,” thotë ai.

Ajo që ndryshoi ishte mënyra e udhëtimit. Pushimet në natyrë, kampingu dhe destinacionet më pak të frekuentuara u bënë më të preferuara. Shumë udhëtarë filluan gjithashtu të shmangin fluturimet aty ku është e mundur.

Ndërkohë, tregu i B&B (Bad&Breakfast) dhe i qirave afatshkurtra u rrit ndjeshëm, dhe sot është pothuajse sa industria hotelierike.

“Ka ndikim, por jo shumë të madh, sepse numri i udhëtarëve po rritet,” shpjegon ai. “Ka thjesht lloje të ndryshme turistësh. Disa preferojnë hotelet, të tjerë qiratë private. Unë vetë provova Airbnb, por nuk është për mua.”

 

 

A po e bën inteligjenca artificiale mikpritjen më pak njerëzore?

Kinay e mbështet fuqishëm integrimin e AI në sistemet hotelierike, veçanërisht për menaxhim dhe marketing. Ai e sheh atë si revolucionin e ardhshëm digjital.

Por ai këmbëngul se mikpritja duhet të mbetet e përqendruar te njeriu.

“Udhëtimi lidhet me emocionet,” thotë ai. “Robotët nuk mund të zëvendësojnë njerëzit në këtë industri. Teknologjia duhet ta mbështesë përvojën, jo ta zëvendësojë shërbimin e personelit.”

Derisa disa destinacione ekperimentojnë me robotikën në hotele, Kinay besoj se balancimi është thelbësor: inovacioni duhet pëparuar, por jo duke eliminuar ndërveprimin njerzor, thotë ai.

 

Foto: Kervan Saray në Konia, Turqi

 

Cili është koncepti i ri?

Pas transformimit të turizmit masiv, Kinay tani është duke u fokusuar në turizmin luksoz të bazuar në trashëgimi kulturore. Në vitin 2024, ai themeloi CK Legacy Hotels në Vjenë, me synimin për të restauruar ndërtesa historike dhe për t’i kthyer në hotele luksoze të qëndrueshme, me fokus në shëndet, gastronomi dhe kulturë.

Projekti i parë është Kervan Saray në Turqi, një sarai i karvanëve 800-vjeçar që dikur shërbente për tregtarët udhëtarë. Sot funksionon si hotel-muze me 13 dhoma akomodimi.

Afër Konias, vendi ishte pothuajse i harruar, por pas restaurimit u vizitua nga rreth 100,000 njerëz brenda një viti, konfirmon ai. 

Kinay tani është në kërkim të mundësive të ngjashme në Austri, posaçrisht kështjella dhe manastire të cilat pjesërisht mund të kthehen në hotele luksoze. 

“Ky projekt është shumë selektiv. Nuk jam me nxitim,” thotë ai. “Magjia qëndron në ruajtjen e autenticitetit, duke shtuar njëkohësisht rehati dhe elegancë.”


Ai e zgjodhi Austrinë pjesërisht sepse jeton në Vjenë, por edhe për shkak të lidhjeve historike midis Perandorisë Osmane dhe asaj Habsburge.


“Të qëndrosh në një kështjellë ofron një përvojë unike. Kombinimi i trashëgimisë me jetën moderne digjitale është emocionues, veçanërisht për brezat e rinj.,” shton ai.

Foto: Kervan Saray në Konia, Turqi

 

Rruga drejt suksesit

Kinay u zhvendos në Vjenë në vitin 1977, vetëm 18 vjeç. Ai e konsideron veten njeri me fat.

“Kisha prindër të mirë, arsim të fortë dhe miq mbështetës. Vjena ma hapi botën.”

Në vitin 1997, ai u shpall “Njeriu i Vitit” në Austri për ndikimin e tij në industrinë e udhëtimit dhe në vitin 2006 mori Medaljen Shtetërore Austriake.

Pavarsisht sfidave që iu shfaqën gjatë rrugëtimit, "gjërat më të bukura në jetë më kanë ndodh në Austri," pohon ai. 

 

 

Këshilla e tij për të rinjtë

Kinay beson se Austria vazhdon të ofroj mundësi të mëdha, posaçërisht për profesionistët e rinj. 

“Ky vend ka nevojë për profesionistë të rinj dhe të përgatitur,” thotë ai. “Për ata që janë gati të integrohen dhe të investojnë në zhvillimin profesional, Austria ofron shumë mundësi dhe siguri sociale.” përfundon ai. 

 

Më shumë

Tourism Turkey Austria