Vienna, Austria | 06 qershor 2026
HAJDE

Zgjedhjet e 7 Qershorit: Rritet ndjeshëm interesimi i diasporës në Austri për votim

Diaspora kosovare në Austri po shënon një interesim dukshëm më të madh për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit 2026, krahasuar me dy proceset e fundit zgjedhore.
Publikuar më maj 22, 2026Autori Majlinda Aliu
Procesi i votimit 27 dhjetor 2025

HAJDE ka siguruar të dhënat nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, të koordinuara me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ato tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve të regjistruar për votim fizik në përfaqësinë diplomatike.

 

Sipas informacioneve të konfirmuara nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, për zgjedhjet e 7 qershorit janë regjistruar gjithsej 1125 votues për të votuar fizikisht në Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Ndërkohë, edhe 3308 qytetarë të Kosovës që jetojnë në Austri janë regjistruar për votim përmes postës.

 

Interesimi për votim në Austri ka ardhur në rritje të vazhdueshme gjatë tri proceseve të fundit zgjedhore.

 

 

Në zgjedhjet parlamentare të 8 shkurtit 2025, për herë të parë, qytetarët që jetojnë jasht vendit, kishin mundësi të hedhnin votën në kuti votimi. Në Austri, numri i të regjistruarve për votim fizik ishte 941, ndërsa votuan 732 qytetarë, gjithsej 77.8%. 

 

Në zgjedhjet e parakohëshme të 28 dhjetorit 2025, numri i votuesve në Ambasadën e Kosovës në Vjenë ra në 431 nga gjithsej 532 të regjistruar. Kjo pjesëmarrje më e ulët konsiderohet se erdhi si rrjedhojë e mbajtjes së procesit zgjedhor në fundvit, kur fluksi i udhëtimeve nga diaspora drejt Kosovës rritet ndjeshëm. 

 

Zgjedhjet radhës të parakohëshme do mbahen në Kosovë me 7 qershor 2026, ndërsa jashtë vendit, votim fizik bëhet një ditë para. 

 

Në këto zgjedhje, vërehet një  rritje të ndjeshme të regjistruarve për të votuar, krahasuar me dy ciklet paraprake. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit është rritur edhe numri i përgjithshëm i votuesve nga diaspora të regjistruar për votim. 

 

KQZ ka bërë të ditur se në nivel global janë regjistruar për votim, 109,696 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Prej tyre 81,901 shtetas janë regjistruar për votim me postë, 2855 për të dërguar pakon e fletëvotimit në kutinë postare të KQZsë, dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

 

Foto e realizuar nga personeli-në Ambasandën e Republikës së Kosovës në Vjenë. Procesi i votimit me 27 dhejtor 2025 

 

Si do të zhvillohet votimi në Austri

Sipas Ambasadës së Kosovës në Austri, votimi fizik, do të organizohet vetëm në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, në adresën Prinz-Eugen-Straße 8-10 A-1040 Vjenë. Qytetarët do të mund të votojnë duke paraqitur një nga dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës letërnjoftim, pasaportë, ose leje vozitjeje.

 

Ndërkohë, procesi i caktimit të komisionerëve zgjedhorë që do të mbikëqyrin procesin pritet të përfundojë sipas afateve të parapara në Planin e Aktiviteteve të institucioneve përgjegjëse, ka njoftuar i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi. 

 

Rritja e numrit të regjistrimeve dhe pjesëmarrja e lartë në dy proceset e fundit zgjedhore tregojnë se diaspora kosovare në Austri vazhdon të mbetet një faktor i rëndësishëm në proceset demokratike të Kosovës.

 

Duke qenë se Austria është një nga vendet e pakta në botë, ku dy shtetësia është proces tejet e vështirë, shumë qytetarë me origjinë nga Kosova, por me shtetsi austriake, e kanë të pamundur të marrin pjesë në proceset zgjedhore në vendlindje.  

Më shumë

Zgjedhjet Elections Kosovo