Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Historia e suksesit të Lami Çunakut, njeriu i cili mundësoi që Vjena e muzikës klasike të menaxhohet nga shqiptarët

Ndërmarrësi nga Vjena me prejardhje nga Kosova, Lami Çunaku, në një intervistë për HAJDE, tregon sesi u bë bashkëpronar i orkestrës më të madhe në Austri dhe paralelisht kontribuon në rritjen e turizmit në rajonin e Ballkanit
Publikuar më shkurt 12, 2026Autori Majlinda Aliu
Lami Cunaku

Vjena, kryeqyteti evropian i muzikës klasike, është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në botë. Çdo vit, rreth një milion vizitorë ndjekin koncertet e saj, duke e kthyer qytetin në një destinacion të domosdoshëm për dashamirët e muzikës.

 

Një nga njerëzit që kontribuon në suksesin e këtyre koncerteve është edhe shqiptari nga Kosova, Lami Çunaku.

 

Në foto: Wiener Hofburg Orchester

 

Fillimet e hershme

Që në moshë të re, gjatë viteve ’80, Çunaku kishte ëndërr të bëhej këngëtar. Në një kohë kur rrethanat politike në Kosovë nuk favorizonin zhvillimin artistik, ai shprehte talentin e tij përmes ansamblit “Barilët” nga fshati Barilevë i Prishtinës.

Situata e vështirë e viteve ’90 e detyroi, si shumë të rinj të tjerë, të largohej nga vendi. Pas përfundimit të studimeve bazike në ekonomi dhe përpjekjeve për të mbijetuar përmes tregtisë, në vitin 1997 ai u shpërngul në Vjenë për të vazhduar studimet dhe për të punuar.

 

Rrugëtimi drejt suksesit

Në fillim, Lami Çunaku u përball me vështirësi financiare. Hapi i parë ishte ndjekja e kursit të gjuhës gjermane. Më pas, ai filloi të shiste bileta për koncertet e muzikës klasike së bashku me vëllain e tij.

“Kjo punë më ndihmoi jo vetëm financiarisht, por edhe në komunikim me njerëzit,” tregon ai.

Falë përkushtimit dhe aftësive të tij, në vitin 2004 atij iu ofrua pozita e menaxherit për shitje dhe marketing në Wiener Residenz Orchester.

“Në momentin kur mora drejtimin e kompanisë, ajo kishte rreth 83 mijë vizitorë në vit. Brenda një viti, arritëm në 116 mijë, ndërsa sot kemi mbi 350 mijë vizitorë,” shprehet Çunaku.

Në vitin 2012, ai u bë aksionar në Wiener Hofburg Orchester dhe Wiener Residenz Orchester, dy nga orkestrat më të rëndësishme në Austri.

 

Në foto: Wiener Residenz Orchester

 

Promovimi i artistëve shqiptarë

Në orkestrat që ai menaxhon dhe bashkëpronëson, kanë performuar edhe artistë shqiptarë, si mezzo-sopranoja Flaka Goranci e Lorika Ismaili, tenorët Faik Hondozi e Berat Tafallari, si dhe violinistët Valmir Ziu e Margareta Çeku.

Sipas Çunakut, sallat janë pothuajse gjithmonë të mbushura, ndërsa kohët e fundit është rritur edhe numri i vizitorëve shqiptarë, veçanërisht nga Kosova, pas liberalizimit të vizave.

Ai thekson se sot, shumica e shitësve të biletave në sheshet kryesore të Vjenës janë shqiptarë nga Kosova.

“Kur fillova unë në vitin 1998, kishte pak shqiptarë në këtë punë. Pas luftës, shumë prej tyre u përfshinë në këtë sektor dhe më pas hapën kompanitë e tyre,” thotë ai me krenari.

 

 

Zgjerimi në fushën e turizmit

Suksesin e tij, Çunaku e shtriu edhe në Ballkan përmes turizmit. Në vitin 2011, i shtyrë nga dëshira për t’u lidhur me vendlindjen, ai themeloi kompaninë turistike ndërkombëtare VAS Group, në bashkëpunim me Alb-Tours-D në Durrës.

VAS Group, pasi filloi punën në Prishtinë dhe Tiranë, më vonë u zgjerua në Shkup, Sarajevë dhe Vjenë, ndërsa në vitin 2020, në kohën kur bota po izolohej, ata kanë hapur kompaninë edhe në Dubaj. 

Gjatë pandemisë, turizmi u përball me sfida të mëdha.

“Pandemia ishte goditja më e rëndë për turizmin. Edhe ne patëm vështirësi, por nuk u ndalëm,” tregon ai.

Sot, VAS Group operon në katër shtylla kryesore: operator turistik, menaxhim destinacionesh (DMC), platformë online dhe hotelieri, me rreth 400 të punësuar dhe deri në 1000 gjatë sezonit.

 

Ballkani dhe turizmi ndërkombëtar

Sipas Çunakut, kompania e tyre ka qenë për vite me radhë një nga promotorët kryesorë të turizmit në Shqipëri.

“Shqipëria ka bërë përparim në vitet e fundit, por ende ka mangësi në shërbim,” thotë ai.

Ndërsa për Kosovën, ai thekson se ekziston potencial i madh, por mungon mbështetja institucionale.

Interesi ndërkombëtar për Ballkanin është në rritje, përfshirë edhe kompanitë nga Amerika Latine, të cilat po kërkojnë të hyjnë në këtë treg.

 

Në foto: Lami Çunaku

 

Mesazhi për të rinjtë

Pas tri dekadash në Vjenë, duke filluar nga zero, Lami Çunaku sot është një ndërmarrës shumë i suksesshëm. Ai ka një mesazh të qartë për të rinjtë:

“I inkurajoj të gjithë që së pari të investojnë në shkollim. Pa arsimim të mirë, është e vështirë të ndërtosh një biznes të qëndrueshëm. Mundësitë janë kudo, në Vjenë dhe në vendet tona. Punoni me nder dhe mos kini frikë nga dështimi. Vetëm duke hyrë në treg mund ta provoni vlerën tuaj.”

“Potenciali është i madh, ndërsa shkollimi është çelësi i suksesit,” përfundon ai.

Më shumë

Vienna Clasic music Balkan Tourism Culture