Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Radioja që flet shqip në zemër të Grazit

Si u bë Radio Helsinki ura e komunitetit shqiptar në Austri?
Publikuar më dhjetor 25, 2025Autori Leonora Aliu
Radio Helsinki 1

Grazi, qyteti i dytë austriak për nga popullsia, njihet si qytet i studentëve, me mbi 60 mijë studentë nga mbarë bota. Kësi soji, qyteti ofron një diversitet kulturorë dhe gjuhësor. 

 

Në mesin e komuniteteve të huaja që jetojnë në Graz është ai shqitarë. Prej vitesh, gjuha shqipe ka gjetur mikrofonin e saj. 

Radio Helsinki me frekuenca lokale 92.6 MHz, njihet për frymën e saj të hapur dhe ndërkulturore. Për më shumë se një dekadë, në këtë radio mbahen emisione në gjuhën shqipe, duke u bërë urë lidhëse për diasporën. Jo vetëm në aspektin gjuhësor, por edhe në atë të identitetit dhe kujtesës.

Inicuar nga Alban Pelaj, në vitin 2011 për herë të parë u krijua programi në gjuhën shqipe në këtë radio. Kjo iniciativë që fillimisht ishte modeste, e realizuar në mënyrë individuale, kishte kryesisht karakter muzikor.

Me kalimin e viteve, ajo u shëndrrua në një platformë mediatike të strukturuar, dhe të rëndësishme për shqiptarët në Steriermark e më gjerë. Sot, aty ofrohen emisionet e rregullta “Radio Rinia- Dëgjo Shqip’” dhe “Zero”, autor i së cilave është Fatos Kryeziu, si dhe përgjegjës për programin  gjuhës shqipe në Radio Helsinki. 

 

Në një intervistë për Hajde ai thotë se motivi kryesor i mbajtjes së këtij programi që nga fillimi ka qenë që t'i dalin ballë asimilimit, “Për ta arritur këtë, kemi nevojë për punë në të gjitha drejtimet si në art, kulturë, muzikë, histori, informacion, dhe tjera, me qëllim integrimi,”  thotë Kryeziu. 

 

Në foto: Fatos Fryeziu (udhëheqës i programit në gjuhën shqipe në Radio Helsinki) dhe Anjeza Llubani (moderatore)

 

Sipas tij, një kthesë e rëndësishme në rrugëtimin e programeve në gjuhën shqipe ishte viti 2015, kur Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Steiermark (KK) mori drejtimin e programit në gjuhën shqipe. “Nga një emision me theks kryesisht muzikor, pa shumë struktura, programi në shqip ka evoluar ndjeshëm. U shtuan mysafirët në studio, debatet kulturore, temat shoqërore dhe një qasje më interaktive me publikun,” tregon Kryeziu. 

 

Nga një program një orësh, Radio Helsinki vuri në skemë programore dy ditë fundjave për emisionin “Radio Rinia - Dëgjo Shqip”. Poashtu, skemës iu shtua një emision i ri gjysmëorësh i quajtur “Zero” që transmetohet të mërkurave duke filluar nga ora 17:30. Ky emision ka në fokus të rinjët dhe temat bashkëkohore, i bashkë-moderuar nga Fatos Kryeziu dhe Anjeza Llubani.

 

“Programi sot është shumë më profesional dhe i strukturuar,” shpjegon Kryeziu. “Përgatisim tema paraprakisht, zhvillojmë intervista të thella dhe trajtojmë çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Austri dhe më gjerë,” thotë ai. Në çdo emision, muzika shqipe mbetet “zemra e programit”, por ndërkohë hapësira mes këngëve mbushet me rrëfime, analiza, debate dhe histori njerëzore.

 

Për dëgjuesit shqiptarë në Graz dhe Austri programi në gjuhën shqipe i radio Helsinki është një adresë ku gjuha shqipe nuk tingëllon si e huaj, festat kombëtare kujtohen, personalitetet e shquara shqiptare vihen në pah, bisedohet për letërsi, sport, politikë, ekonomi, art dhe ngjarje të diasporës, duke iu përshtatur kërkesave të publikut. 

 

Radio-programi nuk kufizohet vetëm me intervista në Graz apo Austri. Në emisione ftohen mysafirë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Skandinavia, Azia, Amerika, Gjermania, Zvicra apo Italia. 

Në foto: Anjeza Llubani (moderatore) dhe Dr. Isak Shema (Profesor) 

 

Dy biseda që veçon Kryeziu janë Intervista me profesorin, Dr. Isak Shema, si dhe biseda frymëzuese me Miki Ramadanin, e cila në vitet 90' ka kaluar ilegalisht kufinjë të shumtë, duke u futur në lumenj të akulltë me foshnjen e saj në duar. “Rrëfimi i Mikit, që sot e sheh djalin e saj në prag të përfundimit të studimeve të mjekësisë, është një nga ato histori që, të thyen shpirtin, por edhe të japin forcë dhe shpresë,” sçaron Kryeziu. 

 

Programi shërben si urë lidhëse mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë austriake. Kjo duke promovuar shembuj të mirë të integrimit, histori suksesi, dhe bashkëpunimin me organizata migrante që ngërthejnë ngjarje kulturore, festivale, përvjetorë, e ditë kulturore. Duke qenë pjesë e një mediumi austriak, zëri i shqiptarëve fiton një lloj legjitimiteti publik, dhe një prani që shkon përtej kontekstit komunitar të mbyllur.

 

“Suksesi nuk matet vetëm me statistika,” thekson Kryeziu. Fakti që programi në gjuhën shqipe ka mbijetuar për mbi 15 vjet, është në vetvete një tregues suksesi i një misioni që ka qëndruar i fortë, i respektuar dhe i besuar, shton ai. 

 

Kryeziu shpalos planet të cilat tingllojnë ambicioze, siç janë zgjerim i programit në landet tjera të Austrisë siç janë Kärnteni, në Klagenfurti dhe Villach. Këto arritje mendojnë t’i realizojnë duke bashkëpunuar me radiot e tjera lokale, si dhe me përfshirje më të madhe të të rinjve. 

 

Në këtë sfond, për Fatos Kryeziun të flasësh shqip në një medium austriak nuk është thjesht detyrë profesionale. “Është mision, është zë i diasporës,” thotë ai. 

 

Si shqiptari i parë i zgjedhur për dy mandate radhazi në Programet e Radio Helsinkit, ai e sheh këtë jo si arritje personale, por si dëshmi të një modeli të ri komunikimi që komuniteti shqiptar ka arritur të ndërtojë një model profesional dhe të respektuar.

 

Mesazhi i tij për komunitetin që jeton në Austri është që të ketë më shumë bashkëpunim, dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu të ketë angazhim për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. “Sepse radioja që flet shqip në zemër të Grazit nuk është vetëm një frekuencë valore; është një hapësirë kujtese, një tribunë dinjiteti dhe një dëshmi e gjallë se gjuha dhe identiteti mund të mbijetojnë e të lulëzojnë edhe larg atdheut, për sa kohë ka njerëz që u japin zë” përfundon ai. 

 

Më shumë

Media Radio Graz Austria Kosovo