Vienna, Austria | 03 maj 2026
HAJDE

Komuniteti i Alsergrundit nderon viktimat e aksidentit tragjik

Banorët e distriktit të 9-të të Vjenës u mblodhën mbrëmë në Bauernfeldplatz për të përkujtuar katër viktimat e aksidentit tragjik në ndërtimtari që ndodhi më 17 mars.
Publikuar më mars 22, 2026Autori Majlinda Aliu
Vienna commemoration 5

Trishtimi dhe shoku vëreheshin në fytyrat e njerëzve derisa ndiznin qirinj në shenjë kujtimi. Në shenjë solidariteti, komuniteti gjithashtu ka nisur një iniciativë për mbledhje fondesh për të mbështetur familjet e punëtorëve të ndërtimit që humbën jetën gjatë punës.

“Jemi duke e organizuar këtë aktivitet sepse është shumë e rëndësishme për ne të krijojmë hapësirë për t’u mbledhur së bashku, për të shprehur ngushëllimet tona dhe për të treguar respekt dhe solidaritet ndaj familjeve të viktimave,” tha Saya Ahmad, kryetare e distriktit të 9-të nga SPÖ.

Mbledhja e komunitetit të Vjenës në Alsergrund - fotografuar nga Nikola Mihailovic @codylinker

 

Stefan Fleischner Janits, banor i zonës, tregon se ishte duke u kthyer nga puna të mërkurën kur mësoi se katër persona kishin humbur jetën gjatë punimeve ndërtimore në lagjen e tij.

“Jam shumë i trishtuar për familjet e tyre, sidomos për fëmijët. Pesë fëmijë humbën baballarët e tyre. Jam thellësisht i prekur nga kjo. Është e rëndësishme të mblidhemi në momente të tilla. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për të treguar solidaritet dhe dhembshuri,” tha ai për HAJDE.

Për të, aksidenti ishte veçanërisht tronditës, pasi ngjarje të tilla janë të rralla në Vjenë.

“Kur beson se gjithçka është e sigurt dhe nën kontroll, dhe jeton në një vend ku ekziston Baupolizei (autoriteti i ndërtimit) që kryen kontrolle të shpeshta, është e vështirë të kuptohet si mund të ndodhë diçka e tillë,” tha Fleischner Janits, i cili është gjithashtu pastor dhe bashkëorganizator i këtij tubimi.

 

Autorja Majlinda Aliu dhe Kurto Wendt (Links-Wien)- fotografuar nga Nikola Mihailovic @codylinker

 

Megjithatë, Kurto Wendt, përfaqësues i partisë së majtë Links Wien në distriktin e 9-të, tha se tragjedia nuk ishte plotësisht befasuese. Sipas tij, kjo ngjarje nxjerr në pah probleme më të thella në sektorin e ndërtimit.

“Kompani ndërtimi ua nënkontraktojnë punët firmave të tjera, punëtorët shpesh paguhen keq dhe standardet e sigurisë ndonjëherë janë të pamjaftueshme. Nuk e di nëse kjo ishte rasti këtu, por duke parë kushtet në përgjithësi, njeriu pyet veten pse aksidente të tilla nuk ndodhin më shpesh,” tha ai.

Wendt beson se kjo tragjedi duhet të hapë një debat më të gjerë publik për kushtet e punës në ndërtimtari.

“U deshën katër ditë për t’i identifikuar viktimat sepse ata nuk jetojnë këtu, nuk votojnë këtu dhe shpesh nuk i kanë familjet këtu; në një farë mënyre janë të padukshëm. Ata ndërtojnë shtëpi ku nuk do të jetojnë kurrë. Punojnë për të tjerët dhe për fitimin e të tjerëve, dhe njihen vetëm kur vdesin. Ky është realiteti,” shtoi ai.

 

Sipas të dhënave të Statistik Austria, punëtorët me prejardhje të huaj përbëjnë përqindje më të lartë në sektorë të caktuar, si ndërtimtaria. Sipas statistikave zyrtare, të huajt përbëjnë 9.4% të fuqisë punëtore, krahasuar me 7.2% të vendasve.

 

Shqetësime u ngritën gjithashtu nga Josefa Molitor-Ruckenbauer, përfaqësuese e Partisë së Gjelbër në këtë distrikt. Duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe vlerësim për solidaritetin e komunitetit, ajo theksoi nevojën për një hetim të plotë.

“Nuk jemi mësuar me aksidente të tilla në Austri. Është e domosdoshme të hetohet plotësisht ky rast për të shmangur rreziqe të tilla në të ardhmen,” tha ajo.

Fotografuar nga Nikola Mihailovic @codylinker

 

Schauspielhaus në Pozellangasse 19, ka vendosur një libër ngushëllimi, ku fqinjët, kalumtarët dhe komuniteti mund të lënë mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti. 

 

Fotografuar nga Nikola Mihailovic @codylinker

 

Aksidenti tragjik ndodhi më 17 mars 2026 në Porzellangasse, në Alsergrund, duke marrë jetën e katër punëtorëve të ndërtimit. Tre nga viktimat ishin shqiptarë nga Kosova, ndërsa një ishte shtetas boshnjak nga Novi Pazari në Serbi. Pas përfundimit të procedurave, trupat e viktimave nga Kosova u dërguan në atdhe për varrim.

Më shumë

Vjena Alsergrund Accident Vienna