Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Rrugëtimi sfidues i Eno Peçit drejt majave të suksesit në balet

Që nga viti 2000, balerini shqiptar Eno Peçi është pjesë e trupës së Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës, një nga skenat më prestigjioze të artit klasik në Evropë.
Publikuar më nëntor 30, 2025Autori Majlinda Aliu
Eno Peci 3
nëntor 30, 2025, 19:00 -- dhjetor 1, 2025 maps.app.goo.gl/D5gXra7gRthZjF6p6

ECHOS – Klavier, Tanz, Gesang

I lindur në Tiranë, Eno Peçi e zbuloi pasionin për vallëzimin që në fëmijëri. Në moshë të re iu bashkua Akademisë së Baletit në Tiranë, ku hodhi hapat e parë drejt një ëndrre që më pas do ta çonte larg vendlindjes. Por rruga nuk ishte e lehtë. Trazirat e viteve 1997–1998 në Shqipëri ia pamundësuan vazhdimin normal të shkollimit.

“Mundësia e vetme ishte ta linim Shqipërinë,” kujton ai.

 

Kështu, në vitin 2000, vetëm 18 vjeç, Eno u zhvendos në Austri dhe, pa humbur kohë, u pranua në shkollën e baletit pranë Operës së Vjenës. Bazat që kishte marrë në Tiranë rezultuan vendimtare për formimin e tij profesional.

“Në Tiranë kemi mësuar metodën klasike të shkollës ruse, e cila ka krijuar një themel shumë të fortë në punën time si balerin,” thotë Eno, duke shtuar se në Vjenë u njoh me teknika më bashkëkohore që e ndihmuan të zhvillohej edhe artistikisht.

 

Në foto Eno Peçi- Balerin dhe koreograf

 

Mes paragjykimeve dhe këmbënguljes

Rrugëtimi drejt ngjitjes në skenën e Operës së Vjenës nuk ishte aspak i lehtë. Origjina nga Shqipëria, në një kohë kur imazhi i vendit ishte i rënduar nga paragjykimet, shpesh u shoqërua me barriera shtesë.

“Nuk kishim emër të mirë në atë kohë si shoqëri, por gjërat kanë ndryshuar dhe dinjiteti ynë është rikthyer,” shprehet ai.

Stereotipe kishte përjetuar edhe në vendlindje, por të një natyre tjetër. Perceptimi shoqëror ndaj balerinëve meshkuj shpesh ishte i ngarkuar me paragjykim dhe diskriminim gjinor.

“Ekzistonte ideja se baleti është për femra, apo për homoseksualë,” thotë Eno. Sipas tij, izolimi dhe shtypja gjatë periudhës së komunizmit kishin lënë gjurmë të thella në mendësinë shoqërore.

 

Vjena i hapi horizonte të reja, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë shoqëror – duke thyer barriera mendësish.

“Baleti është një art jashtëzakonisht i vështirë që kërkon përkushtim maksimal. Momenti i shpërthimit në skenë është unik dhe nuk ka lidhje as me gjininë, as me orientimin seksual,” thekson ai.

 

Nga nxënës në solist

Procesi i pjekurisë artistike ishte sfidues. Eno rrëfen se pritshmëritë e tij për baletin ishin krejt ndryshe nga realiteti.

“Kur fillova shkollën, kuptova se baleti kërkonte studim rigoroz, metodë të saktë, disiplinë, veshje specifike, muzikë klasike. Nuk isha i sigurt nëse do të më pëlqente gjithçka,” kujton ai.

Frymëzim i madh për të u bënë balerinë të mëdhenj si Rudolf Nureyev dhe Vladimir Vasiliev, të cilët e nxitën të rrisë ambiciet për përsosmëri.

 

Karrierën në Operën e Vjenës e nisi si anëtar i trupës, më pas u bë gjysmë-solist dhe sot është solist i plotë. Ai interpreton në zhanre të ndryshme, nga baleti klasik te ai modern dhe karakter – një shumëllojshmëri rolesh që, sipas tij, e kanë formuar si artist të plotë.

“Kam luajtur role negative, komike dhe romantike. Duke u ballafaquar me personazhe të ndryshme, rritesh jo vetëm teknikisht, por edhe artistikisht, dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua,” thotë ai.

 

 

Në foto Eno Peçi- Balerin dhe koreograf

 

Identiteti artistik

Por cili është identiteti i Enos në skenë?

“Pavarësisht se në cilën skenë jam, unë jam gjithmonë në botën time artistike. Nuk jam as shqiptar, as vjenez – jam Eno. Identiteti im është artistik,” shprehet ai me krenari.

 

Arti është çelësi kyç që ndërlidh shtetet

Për nder të 113 vjetorit të pavarsisë së Shqiprisë, Eno ka përgatitur koreografinë e një shfaqjeje ku do të përformoj sonte në Vjenë në Ehrbar Saal bashkë me artistët e tjerë shqiptarë, pianisten nga Tirana Elvina Gurra e cila ka inicuar këtë projekt. Gjithashtu, përformues do të jenë tenori Valon Imeri, sopranoja Gesu Zefin,  balerini Joni Österlund, si dhe Rodrigo Sámanos me kontrabas. 

Në program janë veprat të kombinuara të krijuesve të njohur si Chopin, Schubert, Verdi, por edhe atyre shqiptarë si Avni Mula, Lola Gjoka, Çesk Zadeja, etj. Në këtë mbrëmje shqiptare që do të ketë vallëzim, piano dhe këndim, dhe çdo gjë do jetë në shqip. 

“Është shumë e rëndësishme ndërlidhja që krijon arti mes kulturave", thotë artisti. “Unë gjithmonë mundohem që të bëjë lidhje kulturash, mes Shqipërisë dhe Austrisë, sepse përmes artit krijohen urat e komunikimit.”

 

Nga balerin në koreograf

Që nga viti 2009, Eno Peçi ka nisur edhe rrugëtimin si koreograf. Nën koreografinë e tij janë realizuar disa shfaqje në Operën e Vjenës, përfshirë Herzblume dhe Petruschka. Në vitet 2018 dhe 2020, ai ka koreografuar ceremoninë hapëse të Vienna Opera Ball dhe vepra për Vienna State Ballet.

Punimet e tij janë shfaqur edhe jashtë Austrisë – në Gjermani, Slloveni, Hungari, Zvicër – si dhe në Shqipëri e Kosovë.

 

Në sezonin e ardhshëm, Baleti i Operës së Vjenës do të prezantojë veprën e tij më të re, “The First Nutcracker for the Nest”. Eno po punon me studentët e akademisë së baletit, duke kombinuar traditën klasike me një interpretim personal bashkëkohor.

“Baza do të jetë klasike, por me qasje kontemporane. Koncepti, ideja dhe organizimi muzikor janë të gjitha të miat,” shpjegon ai.

 

Çmime dhe vizion

Puna e tij është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare, por Eno mbetet i përulur.

“Është mirëkurajuese, por jo thelbësore. Nuk punoj për tituj apo medalje. Qëllimi im është të arrij majën artistike, të mësoj vazhdimisht dhe të krijoj vepra të reja,” thotë ai.

Mesazhi i tij për talentët e rinj është i qartë dhe i drejtpërdrejtë:

“Më shumë pasion, këmbëngulje dhe dashuri për profesionin. Në art nuk ka kufij, por rreziku më i madh për një artist është të futet në zonën e rehatisë. Është e rëndësishme që arti të mos humbasë vlerat, edhe në një kohë kur gjithçka po kthehet në biznes,” përfundon artisti Eno Peçi.

Më shumë

Arts Ballet Vienna Albanian