Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Nis festivali i artit Vienna Art Week 2025

Festivali do të qëndroj i hapur nga 7 deri më 14 Nëntor, me temën “sistemet e të mësuarit”
Publikuar më nëntor 8, 2025Autori Majlinda Aliu
Screenshot 2025 11 08 at 13 56 49
nëntor 7, 2025, 00:00 -- nëntor 14, 2025 maps.app.goo.gl/ZkPMobTgeFWR2cw56

Vienna Art Week 2025

Prej dy dekadash, Vjena, një nga qendrat kulturore të Evropës, organizon çdo nëntor një festival dedikuar artit. I quajtur “Vienna Art Week”, ai vë në qendër skenën e gjallë artistike të qytetit. Festivali përfshin rreth 70 partnerë, duke ofruar hyrje falas në galeri, hapësira arti, institucione dhe iniciativa të pavarura.

 

Vizitorët mund të eksplorojnë hapësira si Architekturzentrum Wien dhe galeri të ndryshme ku ekspozohen vepra të artistëve bashkëkohorë.


Po ashtu, 50 artistë nga i gjithë qyteti kanë hapur studiot e tyre për publikun si pjesë e Open Studio Days. Në mesin e këtyre artistëve është edhe Albana Ejupi, artiste me origjinë nga Kosova. Vizitorët mund të hyjnë në studion ku janë të vendosura veprat e saj, dhe të përjetojnë atmosferën e krijimit, si dhe të shohin nga afër procesin e saj të punës artistike. Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur më 8 dhe 9 nëntor, nga ora 13:00 deri në 18:00.

 

Në kuadër të festivalit, gjithashtu ofrohen ture të udhëhequra nga Elena Blum dhe Katja Stecher, vizita taktile mbi veprat e Michaelina Wautier, si dhe diskutime mbi arkitekturën e qëndrueshme dhe praktikat bashkëkohore në Kunsthistorisches Museum Wien.

Mbrëmjet sjellin ekspozita kryesore, si House of Learning Systems, e cila hap një eksplorim njëjavor të artit bashkëkohor, nga historiku tek eksperimentimi.

 

E themeluar në vitin 2005, Vienna Art Week është shndërruar në një traditë të përvitshme për artistë dhe adhurues të artit. Festivali përfshin mbi 100 aktivitete, nga ture të udhëhequra dhe vizita në studio, deri tek biseda me ekspertë, performanca, ekspozita dhe punëtori, duke tërhequr mbi 30,000 vizitorë çdo vit.