Vienna, Austria | 24 nëntor 2026
HAJDE

Nga Kosova në skenat e mëdha të botës: Rame Lahaj emocionon publikun në Konzerthaus të Vjenës

Tenori nga Kosova Rame Lahaj mbushi plot, sallën e Wiener Konzerthaus në Vjenë të dielen e kaluar. Me zërin e tij, historitë personale dhe afërsinë e veçantë me publikun, ai tregoi se muzika është shumë më tepër sesa argëtim, ajo i bashkon njerëzit, kulturat dhe gjeneratat.
Publikuar më nëntor 12, 2026 • Autori Fleta Rexhaj
Rama 4

 

“Edhe një, edhe një!” thirrjet e publikut nuk kishin të ndalur. Rame Lahaj tashmë e kishte përfunduar koncertin, por njerëzit në Sallën e Madhe të Wiener Konzerthaus nuk ishin ende gati ta linin të largohej nga skena. Duartrokitjet e fuqishme, thirrjet plot entuziazëm dhe fytyrat e emocionuara shënuan minutat e fundit të një mbrëmjeje që shumë prej të pranishmëve me siguri do ta mbajnë mend gjatë.

 

Më 8 nëntor 2026, tenori i njohur ndërkombëtarisht, në kuadër të turneut të tij “Passion & Origin”, u paraqit së bashku me ARMA-Ensemble, duke sjellë një program muzikor që bashkoi vepra të njohura ndërkombëtare me këngë tradicionale shqiptare. Por nuk ishte vetëm zëri i jashtëzakonshëm i Lahajt ai që e bëri këtë mbrëmje kaq të veçantë. Ishte mbi të gjitha mënyra se si ai arriti të krijojë një lidhje të afërt dhe personale me publikun.

 

Ramë Lahaj, tenor, në koncertin në Wiener Konzerthaus. Fotograf: Arlin Fejzuli 

 

Një artist që nuk i harron rrënjët e veta

Qysh në fillim të koncertit, Lahaj ua kushtoi disa fjalë emocionuese atyre që kishin luftuar për Kosovën. Ishte një moment kujtimi, por edhe mirënjohjeje. Sepse pas artistit që sot duartrokitet në skenat ndërkombëtare qëndron një histori me fillime jo të lehta, ëndrra të mëdha dhe një lidhje të fortë me vendlindjen.

Gjatë mbrëmjes, Lahaj foli disa herë për fëmijërinë e tij, dëshirat dhe rrugëtimin që e kishte sjellë nga Kosova deri në skenat më të njohura të operës në botë. Rrëfimet e tij ishin personale dhe plot emocione. Përmes tyre, publiku pati mundësinë ta njihte jo vetëm artistin e suksesshëm, por edhe njeriun që qëndron pas atij zëri.

Mes këngëve, ai vazhdimisht kërkonte kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. U bënte pyetje të pranishmëve, bënte shaka dhe i ftonte të duartrokisnin në ritmin e muzikës. Kështu u krijua një atmosferë që ndoshta nuk e pret gjithmonë në një sallë të muzikës klasike: e afërt, e ngrohtë dhe plot gjallëri.

 

Koncerti i Ramë Lahaj, tenor, në Wiener Konzerthaus. Fotograf: Arlin Fejzuli 

 

Kur muzika nuk ka nevojë për një gjuhë të përbashkët

Përveç shumë shqiptarëve, në koncert kishin ardhë edhe vizitorë me prejardhje të tjera për ta dëgjuar Lahajn nga afër. Disa nga ta, ndan përshtypjet e tyre me redaksinë HAJDE.

Anna, 34 vjeçare nga Vjena, ndonëse nuk e kupton gjuhen shqipe, tha se u ndje e emocionuar gjatë koncertit. “Më parë nuk e kam njohur Rame Lahajn dhe nuk e kuptoj as gjuhën shqipe. Megjithatë, sidomos këngët shqiptare më prekën shumë emocionalisht. Ai ka një energji dhe prezencë të jashtëzakonshme. Sapo të shkoj në shtëpi, do t'i kërkoj këto këngë që t'i dëgjoj përsëri,“ tha ajo. 

Edhe mënyra e afërt dhe e natyrshme e këngëtarit la përshtypje të veçantë tek publiku. Thomas, 48 vjeçar, nga Austria e Poshtme u shpreh se afërsia e Rames, i kishte lënë mbresa. “ Unë shkoj rregullisht në koncerte të muzikës klasike, por rrallëherë e përjetohet një afërsi të tillë mes artistit dhe publikut. Nuk kishte aspak distancë. E kishe ndjenjën se ai nuk po këndonte vetëm për ne, por po e ndante edhe historinë e tij me ne.”

Për shumë shqiptarë që ishin të pranishëm, paraqitja e Rame Lahajt kishte edhe një kuptim tjetër, shumë më personal. Nuk bëhej fjalë vetëm për muzikën, por edhe për krenarinë, përkatësinë dhe faktin që artistët tanë po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në botë.

 

Koncerti i Ramë Lahaj, tenor, në Wiener Konzerthaus. Fotograf: Arlin Fejzuli 

 

Blerimi, 56 vjeçar nga Kosova, por që jeton në Vjenë prej shumë vitesh, u ndje mirë që muzika e mirëfilltë shqipe, tani mund të dëgjohet edhe në skenat e mëdha të Vjenës. “Dikur, kur thoje që vjen nga Kosova, shumë njerëz as nuk e dinin ku gjendet. Sot artistët tanë po dalin në skenat më të mëdha të botës. Me e pa Rame Lahajn këtu, në Wiener Konzerthaus, është një krenari e madhe për mu. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për neve.”

 

Edhe për gjeneratat e reja të diasporës, një koncert i tillë mund të ketë një domethënie që shkon shumë përtej asaj mbrëmjeje. Elira, 25 vjeçare nga. Kosova, e rritur në Vjenë, tha se ky koncert i dha shumë motiv. “Kur rritesh mes dy kulturave, nganjëherë e përjeton prejardhjen tënde pak më ndryshe. Por sonte jam ndjerë shumë afër vendlindjes time. Me e pa një artist nga Kosova duke u duartrokituar këtu, na tregon neve të rinjve se ëndrrat tona nuk kanë pse me pasë kufij.”

 

Organizata KÂ ishte bashkorganizatore e koncertit të tenorit Rame Lahaj në Wiener Konzerthaus në Vjenë, duke pasur një rol aktiv në përgatitjen dhe realizimin e këtij projekti.

Lirjeta Avdiu-Vejsa, bashkëthemeluese e kësaj organizate tha se “përtej aspektit organizativ, për KÂ ky koncert kishte rëndësi të veçantë edhe në aspektin e përfaqësimit kulturor, pasi krijoi një mundësi për ta prezantuar artin dhe kulturën shqiptare në një nga skenat më prestigjioze të Vjenës.”

 

Koncerti i Ramë Lahajt në Vjenë u realizua në kuadër të turneut të tij në Evropë, ku përveç Vjenës, ai mbushi edhe sallat koncertale në Cyrih dhe Dyzeldorf. 

Më shumë

Music Classic Albanian