Vienna, Austria | 03 maj 2026
HAJDE

Nga humbja tek muzika: rrëfimi i Sidrit Vokshit, artistit me prejardhje nga Tirana

Artisti austriak me origjinë shqiptare sot lansoj këngën më të re. Një një intervistë eksluzive për HAJDE ai flet për rrugëtimin e tij jo të lehtë drejt suksesit
Publikuar më prill 3, 2026Autori Majlinda Aliu
Sidrit Vokshi 1

Në thelb, historia e Sidrit Vokshit nuk është vetëm një histori muzike. Është histori largimi, identiteti dhe rikthimi tek vetja, përmes tingullit.

Gjithçka nis shumë herët, në një kohë kur ai nuk ishte ende në gjendje ta kuptonte plotësisht realitetin që po jetonte. Ishte vetëm 7 vjeç kur u largua nga Shqipëria gjatë trazirave të vitit 1997. “Ishte periudhë e vështirë për familjen time, por unë atë kohë nuk kuptoja shumë, më dukej si lojë”, kujton ai.

Por ajo që për një fëmijë dukej si lojë, për prindërit ishte një vendim i rëndë. Vetëm më vonë ai e kuptoi se “nuk ishte ekskurzion, por një luftë dhe shpresë për një jetë më të mirë”.

Kur erdhën në Austri, ishin të vendosur në një kamp refugjatësh. Mes një realiteti të panjohur, ndodh momenti që do t’i ndryshonte drejtimin jetës. Ai gjen një CD player dhe dëgjon për herë të parë një këngë në një gjuhë që nuk e kuptonte. “Nuk kuptoja asgjë nga përmbajtja, ishte hera parë që dëgjoja muzikë gjermanisht, por më pëlqeu shumë. Në atë moment mu zgjua interesi për piano.” Dhe aty nisi gjithçka drejt muzikës për Sidrit Vokshin.

 

 

Muzika si mënyrë për të mbijetuar

Në një vend të ri, pa gjuhë, pa rrënjë dhe pa orientim, muzika bëhet mënyra e vetme për të komunikuar me botën.

Prindërit, të shqetësuar që djali i tyre mund të ishte i traumatizuar, i dhuruan një piano të vogël. Dhe pa e ditur, i japin një mjet që do t’i ndryshojë jetën.

“Piano më shpëtoj dhe më ndihmoj në integrim, ngaqë nuk dija asnjë fjalë në gjermanisht,” thotë ai.

Në shkollë, ndërsa të tjerët këndonin këngë që ai nuk i njihte, ai i ndiqte ndryshe: “ngaqë kam vesh të mirë, dija t’i luaja meloditë”. Kjo ishte gjuha e tij e parë në Austri.

Nga shkolla e muzikës tek konservatori, rruga dukej sikur po ndërtohej vetë, kujton ai. Vokshi, vetë e pranon këtë me një reflektim që përmbledh gjithçka: muzika erdhi natyrshëm, “por më duket se nuk do kishte ndodhur asgjë pa atë situatën e vështirë”, thotë ai. 

 

Nga fjala tek ndjenja

Si shumë artistë që kërkojnë të shprehin veten për herë të parë, Sidriti fillon me hip-hop-in. Për të, rep-i nuk ishte thjesht zhanër, ishte mënyrë të menduarit.

Ai e quan “disiplinë mbretërore për fjalën”, duke shpjeguar se ajo që e tërhiqte më shumë ishte teksti: momenti kur një varg të prek më shumë se melodia.

Por me kalimin e kohës, diçka filloi të mos mjaftonte më. Ai e kuptoi se kishte emocione që nuk mund t’i fuste brenda strukturës së rep-it – ndjenja më të buta, më intime, më të pambrojtura.

Ky kufi u thye në mënyrën më të fortë të mundshme: përmes dhimbjes.

 

Në foto: Sidrit Vokshi – krediti i fotos: Denkfabrik 

 

Kur dhimbja bëhet zë

Në këtë intervistë, ai tregon eksluzivisht për HAJDE historinë e tij të dashurisë. Pas një lidhjeje 8-vjeçare, jeta personale e Sidritit ndryshon rrënjësisht. Tradhtia dhe ndarja nuk mbeten vetëm eksperiencë, ato bëhen material krijimi.

“Në momentin e dhimbjes, shkruajta disa këngë,” thotë ai.

Por më e rëndësishmja ishte ajo që ndodhi brenda tij: ai vendosi të mos fshihej më. “Thash këto janë frikat e mia dhe nuk do i mbuloj më, do t’i nxjerr si të parat.”

Kjo ishte pika ku ai kaloi nga hip-hop-i në pop. Jo si strategji tregu, por si nevojë personale.

Dhe bashkë me këtë kalim erdhën edhe kritikat, nga të dyja anët: nga artistët dhe pëlqyesit e hip-hopit në një anë dhe nga ata të pop-muzikës në anën tjetër. Por për herë të parë, kjo nuk kishte më rëndësi. Ai e kishte kuptuar se autenticiteti provokon më shumë sesa përpjekja për t’u pëlqyer nga të gjithë.

 

“Verlieren”: një histori që nuk fshihet më

Sot ai ka lansuar këngën e tij më të re, “Verlieren” (Humbje), që nuk është thjesht një publikim, por është kapitulli më i sinqertë i jetës së tij.

Ai e përshkruan pa filtra: një histori dashurie që fillon me një propozim martese dhe përfundon në humbje.

“U ula në gjunj, propozova…mora përgjigje pozitive… kishim disa muaj shumë të bukur. Më vonë kjo lidhje u bë shumë stresuese dhe e humbëm. Humbja ishte shumë e hidhur.”

Kënga është vetëm një pjesë e një rrëfimi më të madh. Ai tashmë ka krijuar pesë këngë që lidhen mes tyre dhe tregojnë të njëjtën histori.

“Flet për historinë e një burri të thyer në zemër, dhe ky burrë jam unë,” thotë Sidriti, sot nga një pozicion shumë më të qetë, dhe me shumë ëndrra të mëdha para vetes. 

 

Një shans që erdhi dy herë-rruga drejt Eurovizionit 

Në mes të këtij transformimi personal dhe artistik, vjen edhe një moment i rëndësishëm në karrierë: përzgjedhja në “Vienna Calling 2026”, e mbajtur në muajin shkurt, garë që lidhet me Eurovision-in.

Historia edhe këtu ndjek një trajektore të papritur. Fillimisht përzgjidhet, më pas përjashtohet vetëm pak ditë para shpalljes së finalistëve. Ai mbetet “i 13-ti” në një listë prej 12 vetash.

Por pastaj ndodh e papritura: një konkurrente tërhiqet dhe ai rikthehet në garë.

“Nuk e besoja që mund të kishte njeri që do të lënte garën në këtë pikë… dhe pastaj më thanë nga ÖRF: tani është shansi yt.”

Kjo eksperiencë i ndryshoj ritmin e karrierës. Ai e përshkruan si një “booster”, një moment që e ka vendosur në vijueshmërinë më të mirë që ka pasur ndonjëherë nga audienca. 

 

Eurovision: një ëndërr me dy anë

Për Sidritin, Eurovision-i është një platformë që e sheh me admirim, por edhe me rezervë.

Nga njëra anë, ai e vlerëson si hapësirë ku muzika nga e gjithë bota takohet: një vend ku mund të zbulosh këngë dhe kultura të reja.

Por nga ana tjetër, ai është i vetëdijshëm për dimensionin politik që shpesh e shoqëron: sipas tij, arti dhe politika nuk duhet të përzihen.

“Unë jam muzikant dhe dëshira ime është të bëj muzikë kudo që mundem dhe jo të ndërlidhem me politikën,” është mënyra si e përkufizon ai qëndrimin e tij.

 

Mes dy gjuhëve, mes dy botëve

Identiteti i tij artistik është i ndërtuar mbi një dualitet të vazhdueshëm.

Ai flet shqip, por mendon në gjermanisht. Ndjen në një gjuhë dhe shkruan në një tjetër. Kjo e bën procesin krijues edhe më kompleks, por edhe më të veçantë.

Ai nuk e përjashton mundësinë që një ditë të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, por me modesti pranon që para vetës ka konkurrencë: e sheh skenën shqiptare si shumë të fortë dhe me nivel ndërkombëtar. Për më tepër, shprehet optimist se garuesi nga Shqipëria, Alis Kallaçi, mund të jetë fitues i Eurosong në Eurovizion. Por kjo do të kuptohet në mes të majit, kur artistët e vendeve garuese do të vijnë në Vjenë, në edicionin e 70. 

Në të njëjtën kohë, ai është duke menduar të afrojë më shumë rrënjët në muzikën e tij, duke përzier gjuhët dhe duke sjellë elemente shqiptare në tekstet e ardhshme.

 

Në foto: Sidrit Vokshi – krediti i fotos: Denkfabrik

 

Frymëzimet dhe rruga përpara

Rrënjët e tij muzikore janë të shpërndara në disa kultura: nga Ardit Gjebrea tek Toto Cutugno e deri tek Gipsy Kings. Kjo përzierje muzikash me të cilat ai është rritur, reflekton edhe vetë identitetin e tij.

Por përtej inspirimit, realiteti i përditshëm mbetet sfidues.

Ai flet hapur për frikën e ekspozimit dhe për pasigurinë financiare që vjen me këtë profesion. Muzika kërkon investim të vazhdueshëm dhe shpesh nuk kthen menjëherë atë që jep.

Pyetja që i qëndron përpara është e thjeshtë, por e rëndë: a do të arrijë të mbijetojë këtë fazë? “Nëse arrij këtë vit, vitin tjetër do jetë shumë më mirë. Nëse kjo nuk arrihet, duhet përsëri t’i kthehem punës, të mbledh para, për të investuar përsëri në muzikë.”

 

Një rrëfim që vazhdon

Sot, Sidrit Vokshi është në një moment ku gjithçka është në lëvizje: një këngë e re që lançohet, një drejtim i ri artistik dhe një vendim i qartë për të qenë i sinqertë, pavarësisht kostos.

Mesazhi i tij për të rinjtë nuk është i komplikuar. Është pothuaj i thjeshtë, por i fituar nga përvoja:

“Nëse ke një ëndërr, provoje. Sepse rruga mund të jetë e vështirë, mund të jetë e pasigurt, por është e vetmja që të çon drejt vetes.

Dhe ndoshta, si në rastin e tij, gjithçka fillon me një tingull që nuk e kupton, por që e ndjen, dhe vazhdon drejt suksesit.