Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Elita 5 Shkund Diasporën: Pushton skenat në Gjermani, pas koncerteve të suksesshme në Austri

Elita 5, artistët e parë shqiptarë që përformojnë në wiener stadthalle
Publikuar më shtator 30, 2025Autori Majlinda Aliu
Foto: Dy anëtarë të Elita 5 Arif Zyberi dhe Nexhat Mujovi- Virusi (në të majtë) Majlinda Aliu, kryeredaktore e protalit HAJDE (në të djathtë)

Wiener Stadthalle, salla koncertale e Vjenës ku përformojnë artisët e mëdhenj të muzikës dhe artit botërorë, për herë të parë ka qenë pritëse e një prej grupeve më të njohura dhe me përvojë të rokut shqiptarë, Elita 5. Prezenca e këtij rok-grupi ka emocionuar publikun shqipëtar në Austri. Në një intervistë eksluzive për HAJDE, dy anëtarët e këtij grupi Arif Ziberi dhe Nexhat Mujovi (Virusi) flasin për përvojën e tyre koncertale në Austri, për nevojën që muzika e mirëfilltë të kultivohet dhe promovohet përmes koncerteve live, si dhe për planet e grupit për të ardhmen.

o Kush janë Elita 5? 

Për gati 4 dekada në skenë muzikore, me afër 100 këngë të krijuara dhe lancuara, një nga grupet më të vjetra të rokut shqiptarë Elita 5, nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, kanë arritur t’i qëndrojnë besnik llojit të muzikës që bëjnë, duke mbajtur gjithherë adhuruesit e tyre të kënaqur me muzikën që kultivojnë. 
Por s’i ia doli Elita 5 t’i mbijetoj kohës së të trasformimit digjital, ku çdo fushë pamëshirshëm është ndikuar, e posaçërisht ajo e muzikës? 
Anëtari i grupit Nexhat Mujovi, i njohur si Virusi, i cili poashtu merret me kompozim të këngëve të Elita 5, thotë se nuk janë bërë pre e kohës dhe ndryshimeve, por kanë vazhduar të kriojnë muzikën e tyre. “Kam pas një ëndërr për muzikë të mirëfilltë, pop-rok. Me këtë muzikë jam ushqyer si fëmij. Ëndrra ime ka qenë që të mbrrij muzika tek njerëzit, por nuk e kam besuar që do të arrinim këtu ku jemi sot.”
 


Të inspiruar nga Deep Purple, White Snake, e Queen, grupi Elita 5, i themeluar në vitin 1988, fillimisht i përbëra nga 5 anëtarë, Arif Ziberi-vokalist, Mevaip Mustafi- gitarist, Besim Ibrahimi-baterist, Agron Idrizi- basist, Nexhat Mujovi- tastierist dhe kompzitor. Më vonë u është bashkuar grupit edhe Valon Gashi, me gitarë elektrike. 
Por ç’farë e ka mbajtur grupin bashkë për kaq kohë?
“Mirëkuptimi, toleranca, diciplina, dhe profesionalizmi na ka mbajtur bashkë, dhe për kohë kaq të gjatë në skenë. Qëllimi ka qenë që të bëjmë ndonjë këngë të mirë, të prezantohemi me të, dhe kësi soji është pranuar mirë nga publiku”, thotë Virusi. 

o Sfidat për Elita 5 në fillimin e karrierës 

Derisa flet për fillimet e karrierës në viteve 90’të, Virusi tregon sesi bënë albumin e parë të kryesuar me këngën e tyre “Sajzezo” që edhe sot është një nga super hitet e Elita 5. Por, sfida e tyre e madhe ishte që të pëlqeheshin nga publiku me albumin e dytë. “U thash ekipit, djema, nëse e kalojmë këtë hap, skemi më krizë, nëse dështojmë ska më hapa para,” tregon Virusi.
Dhe realisht, albumi i tyre i dytë i kryesuar me këngën super-hit “Alkapone” u hapi rrugëtimin në karrierën muzikore rok-grupit shqiparë Elita 5. 
“Fillimi i viteve 90, ishte koha kur njerëzit dëgjonin muzikë. Përqëndrimi ishte direkt tek muzika. Ajo ishte kohë e audio-kasetave, që duhet të bliheshin dhe pastaj detyrimisht të dëgjoheshin ato këngë, një nga një. Secili gjente veten në një nga këngët e albumit”, thotë ai.

o Ndikimi i muzikës së Elita 5 në trasformimin shoqërorë 

Muzika nuk është vetëm argëtim, është formë e artit që ndihmon dhe ndikon në trasformime shoqërore. Grupi Elita 5 për gati 4 dekada, duke i kënduar dashurisë, ka gjetur shtrirje në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë. 
Vokalisti i grupit Arif Ziberi thotë se Elita 5 gjithmonë ka dhënë mesazhe positive për të gjithë publikun. “Ne e kemi mbajt të njejtin stil, përkundër rrymave të ndryshme, sepse kemi besuar që ka shqipëtarë që dëgjojnë muzikë të mirë rok. Kudo që jemi, kemi plotë publik,” thotë Ziberi. 
Ndërsa Virusi thotë se motivi kryesor i Elita 5 ka qenë t’i këndoj dashurisë. “Ne çdo herë kemi kënduar këngë dashurie, përkushtimi ka qenë për dashurinë që ka secili, çoftë për vete, apo një histori që e ka treguar dikush. – Këndoj dashurisë dhe asnjëherë nuk do të gabosh e as të dështosh,” thotë Virusi. 
Ajo që Elita 5 ka kultivuar dhe promovuar përgjatë karrierës së tyre ka qenë të bërit muzikë live. 
 

Foto: Elita 5 në koncertin e mbajtur në Wiener Stadthalle në Vjenë, foto e realizuar nga ekipi i HAJDE


o Koncertet e Elita 5 në Austri, shembull për artistët e tjerë

Me 31 maj 2025, një nga sallat e Wiener Stadthalle, vendi ku përformojnë yjet botërore, u elektrizua nga Elita 5, me hitet e tyre muzikore, të cilat publiku i këndonte njëzëri. 

Të mbash koncert në Wiener Stadthalle është guxim, thotë Virusi, dhe kjo u dha një barrë përgjegjësie edhe më të lartë grupit Elita 5. “Mbajtja e koncertit në Vjenë ishte përgjegjsi e madhe. Duhet të kishim parasysh që do bëjmë muzikë në kryeqytetin e Austrisë,” thotë ai. 

Duke qenë se grupi mbajti turne në Austri, dhe para Vjenës përformuan në Wels dhe Graz, ku poashtu u pritën shumë mirë, kishin dilema nëse një pjesë e publikut veç u ishte konsumuar në dy qytetet tjera, dhe nuk priten që në Vjenë do u mbushej salla plotë. “Jemi befasuar shumë, ishte një publik i mrekullueshëm në Vjenë,” thotë Virusi. 

I befasuar me pritjen ishte edhe Arif Ziberi, që po e mbante publikun aktiv gjithë kohën. “Në koncertin në Vjenë, pjesëmarrja ishte e tri gjeneratave, nga fëmijët e vegjël, të rriturit e deri tek moshat e mëdha mbi 60 vjeçe. Pra, muzika jonë shtrihet mes gjeneratash.” 

Koncertet e Elita 5 në Vjenë, Wels the Graz, u organuzuan nga Albanian Sundowner, kompani që merret me organizim koncertësh në Evropë me artistët shqipëtarë. I kënaqur me mënyrën e organizimit dhe me standarde të larta, Arif Ziberi falënderon Sundowners, të cilët vlerëson se janë duke e ndihmuar ngritjen e kulturës shqiptare. 
Ndërsa u jep kritika artistëve të tjerë, të cilët nënçmojnë publikun duke u përformuar muzikë  playback. “Ua kujtojmë artistëve të tjerë që të mos tallen me publikun. Ka të tillë që thonë se shqiptarët nuk marrin vesh. Kjo nuk qëndron, publikut tonë duhet t’u ofrohet cilësi, siç bëjnë artistët e tjerë botërorë,” thotë Ziberi. 
Ai shton se përvoja e koncerteve në Gjermani, dhe në Austri, dëshmojnë se shqiptarët në diasporë pëlqejnë koncertet, krahas mbrëmjeve muzikore që janë mësuar t’i ndjekin. “Kjo është hera e parë ku publikut i ofrohet mundësi të vjen në koncert, dhe kjo ndihmon në vetëdijsimin për formate të koncerteve. Iniciativa të tilla kërkojnë shumë mund dhe angazhim, por kjo kontribon në kultivimin e kulturës shqitare,” thotë ai. 

Derisa mbatja e koncertit të Elita 5 në Wiener Stadthalle, për shumëkend ishte e paimagjinueshme, ajo ndodhi, dhe ate me sukses të plotë. 

Virusi shpreh dëshirën që edhe artistët e tjerë të ndjekin praktikën që ka inicuar Elita 5 bashkë me Albanian Sundowner, dhe të mbahen koncerte në salla të destinuara për koncerte të mëdha të yjeve botërore. “Edhe ne kemi kulturë dhe duhet të vihen në pah vlerat, të cilat shihet se përqafohen nga publiku.” 

Por a e ka menduar ndonjëherë Elita 5 të zgjerohen në skenë globale, duke prodhuar muzikë edhe në gjuhë angleze apo gjuhë tjera? 
Derisa grupi asnjëherë nuk ka synuar të depërtoj në skenë globale me këngë në gjuhë angleze, të dy anëtarët e grupit pajtohen se prioritet i tyre ka qenë audienca shqipëtare. 

Virusi nuk e mohon dëshirën që dikur të zgjeroheshin në skenë globale, por prioritet mbetet audienca shqiptare. “Unë dua të jem i miri i shtëpisë, i familjes, i fqinjëve, dhe nëse do mbrrinim tek koha për tu zgjeruar do të ishte e përkryer për ne.” Ndërsa vokalisti Arif Ziberi, gjithmonë e ka ndjekur moton: më mirë i pari në katund sesa i fundit në qytet. 
“Unë përsonalisht asnjëherë nuk kam pasur synime të përformoj jashtë kufinjëve shqiptarë, sepse kam dashur që të kontribuoj për popullin tim,” thotë vokalisti i grupit.

o Cilat janë planet e së ardhmes së Elita 5 dhe a mendojnë t’i japin fund muzikës? 

Artistët e mëdhenj që rriten në skenë, publiku dhe skena bëhen pjesa vitale e jetës së tyre. Para ca kohësh, Graham Norton i BBC e pyeti Bruce Springsteen, nëse ndonjëherë do ta ndalte muzikën dhe koncertet, dhe ai u përgjigj: si mund të ndalesh, kur mijëra njerëz brohorisin emrin tend- a do të thuash, kam marr mjaftueshëm nga ta? Jo, do vazhdoj deri në fund. 
Kësaj pyetje, anëtarët e Elita 5 i japin përgjigje të ngjashme. 
Virusi thotë se fundin nuk e vendosim ne por publiku, dhe derisa neve na mban dëshira për muzikë, publiku vazhdon të na përkrah. “Askush nuk e lë muzikën, muzika i lë ata,” thotë ai. Ndërsa Arifi thotë se arti dhe muzika nuk njohin pensionim.
Përkurdrazi, grupi planifikon që formatin e koncerteve në Austri ta shtrijë edhe në pjesë tjera të Evropës, ku nga vjeshta pritet të fillojnë turneun Evropian. 

Më shumë

Muzikë Arts Rock