Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Mes qytetesh: Udhëtimi kuratorial i Işın Önol

Işın Önol, është kuratore e suksesshme arti me origjinë nga Turqia e cila jeton midis Nju Jorkut dhe Vjenës, duke sjell kontributin e saj kuratorial në artin bashkëkohor.
Publikuar më nëntor 25, 2025Autori Majlinda Aliu
Isin Onol Portrait

Kur Işın Önol nisi karrierën e saj artistike në Stamboll më shumë se dy dekada më parë, ajo nuk synonte të bëhej një kuratore që do të ndërthurte kujtimet e njerëzve ndër kontinente. Në atë kohë, ajo ishte thjesht një artiste e re me një sirtar të mbushur me punët e saj artistike dhe me një kërshëri në rritje për mënyrën se si arti jeton përtej studiove. Por në momentin që mori në udhëheqje Muzeun Elgiz në Stamboll në vitin 2006, në kohën kur qyteti kishte vëmendje ndërkombëtare, rrugëtimi i saj ndryshoi.

“Atë kohë, mbaja punët e mia të pa ekspozuara,” kujton ajo. “Nuk doja konflikte interesi. Dal ngadalë, fokusi im u zhvendos nga krijimi i artit tek kurimi i tij. Dhe kësi soji bota u hap për mua.”

 

Më pas, ate e përcolli një udhëtim që mund të lexohet si një hartë e rrjetit të artit bashkëkohor, duke filluar nga Koreja e Jugut ku ndjeku një kurs kuratorial; pastaj shkoj në Grenoble për trajnim në L’École du Magasin, një nga programet më të vjetra kuratoriale; dhe në Zyrih për një master të dytë. Çdo vend shtoi një shtresë, por asnjë nuk u ndje si destinacion. Ajo ishte gjithmonë në lëvizje, në kërkim të diçkaje që ende nuk mund ta emërtonte.

 

At Vienna Art Week 2025- photocredit Joanna Pianka 

 

Vjena: Një qytet që e tërhoqi por edhe e vuri në pikëpyetje 

Në fund, rruga akademike e çoi në Vjenë, ku filloi doktoraturën. Ngadal filloj ta shpalos qytetin duke zbuluar sa i bukur, i strukturuar dhe i pasur me histori, por që nuk ishin të sajat. E panjohura u bë për te, njëkohësisht hutim dhe çlirim.

“Kur nuk i din thashethemet apo kodet kulturore, një dinamikë e çuditshme që ndodh në çdo qytet, ti lëviz lirshëm,” thotë ajo. “Nuk kisha paragjykime ndaj asnjë grupi. Kësi soji, naiviteti bëhet mjet funksionimi, dhe papritur mund të futesh në rrethe ku ndryshe s’do të hyje. Kjo liri për mua ishte një dhuratë.”

Por liria sjell edhe magësitë e saj. Origjina e saj turke, e shoqëroj ate në çdo kënd, me apo pa dashjen e saj.

“Nuk je asnjëherë e liruar nga historitë kulturore që përfaqëson,” thotë ajo. “Më përciellnin këto histori kudo që shkoja në Vjenë.”

Megjithatë, Vjena u bë një nga shtëpitë e saj, dhe një pikë e rëndësishme referimi në botën e saj që po zgjerohej.

 

Nju Jorku: qyteti që e liroj nga e kaluara e saj 

Vite më vonë, Işin u zhvendos në Nju Jork, fillimisht iu bashkua Qendrës për Studimin e Ndryshimeve Shoqërore në Columbia University, pastaj mori në udhëheqje kërkimin kuratorial në School of Visual Arts. Në Nju Jork, ndodhi diçka e papritur për te, u lirua nga pesha një barre. 

“Në Nju Jork nuk kisha nevojë t’i bindja njerëzit se i përkisja atij vendi. Askush nuk kishte histori të ndërlidhuara me Turqinë. Krejt papritur, u bëra thjesht një kuratore ndërkombëtare.”

Për ironi: në qytetin më të përzier të botës, ajo u kategorizua ndryshe.

“Atje më futën në kornozën e ‘gruas së bardhë’,” tregon ajo duke qeshur. “Kjo ishte diçka që nuk e kisha përjetuar kurrë në Evropë.”

Ky realizim ishte destabilizues dhe vetëdijësues njëkohësisht, një tjetër shembull se si identiteti ndryshon në varësi të vendit ku qëndron.

 

At Vienna Art Week 2025- photocredit Joanna Pianka 

 

Kujtesa, Rrëfimi dhe Politikat e Solidaritetit

Gjatë këtyre viteve në lëvizje, Önol u bë pjesë e Women Mobilizing Memory, një grup global studiuesish dhe aktivistësh që shqyrtojnë kujtesën kolektive dhe historitë gojore. Kjo përvojë e zhvendosi praktikën e saj kuratoriale drejt asaj që ajo e quan angazhim social, projekte që kërkojnë dëgjim, bashkëpunim dhe përulësi.

“Udhëtimi më tregoi se si komunitete unike shfaqen kudo,” thotë ajo. “Strategjitë që zhvillon në një vend mund t’i aplikosh diku tjetër. Kësi soji, puna ime u transformua plotësisht.”

Qasja e saj kuratoriale tani përqendrohet në krijimin e hapësirave ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin, veprat e artit dhe historitë që fliten butë apo nga margjinat.

“Ajo që lexojmë në gazeta për luftërat zakonisht janë numra e statistika, jo përvoja njerëzore. Dhe besoj se arti hap një dritare tjetër, një mënyrë për të dëgjuar përvoja që na pengojnë të përgjithësojmë njohuritë tona,” thotë Önol.

At Vienna Art Week 2025- photocredit Joanna Pianka 

 

Vienna Art Week: një rikthim me vision të ri

Në nëntorin e këtij viti, për te, ndodhi një tjetër pikë kthese: Önol u rikthye në Vjenë jo vetëm si një banore e dikurshme, por si bashkë-kuratore e Vienna Art Week, një prej ngjarjeve më të rëndësishme artistike të qytetit. Ajo zhvilloi tekstin konceptual dhe së bashku me drejoreshën artistike ndihmoi në formësimin e ekspozitës.

“Vienna Art Week nuk është thjesht një ekspozitë. Është një festival, që guximshëm drejtohet nga një ekip jashtëzakonisht i vogël,” thotë ajo me admirim.

Ajo beson se çdo ekspozitë duhet t’i flasë kontekstit ku ndodhet.
“Të imponosh forma nga diku tjetër apo një model tjetër, është arrogancë. Nëse një ekspozitë nuk komunikon me qytetin, ajo është e dështuar.”

 

 

Një botë në krizë dhe nevoja për solidaritet transnacional

Sot Önol e sheh rolin e saj si kuratore jo vetëm në formësimin e ekspozitave, por në nxitjen e solidaritetit përtej kufijve, komuniteteve dhe madje historive të dhimbshme.

“Jetojmë në një botë ku solidariteti është thelbësor,” thotë ajo. “Të gjithë jemi pjesë e një sistemi që na shfrytëzon artistë, punëtorë të kulturës, të gjithë pa dallim. Andaj duhet të qëndrojmë të bashkuar, sidomos teksa fashizmi dhe dhuna politike janë duke u rritur. Ose duhet të jemi solidarë, ose do të humbasim.”

Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme kur përfshin komunitete e diasporës.

Si emigrante, ajo thekson se për të punuar me diasporën duhet të kuptosh nuancat e saj. 
“Për shembull, për një të jashtëm, ‘diaspora ballkanike’ mund të duket kategori e thjeshtë, por brenda saj ka kompleksitete, sepse flasim për një rajon me konflikte deri së voni, dhe disa çështje vazhdojnë ende.”

Ajo pranon se ndërtimi i solidaritetit brenda këtyre grupeve kërkon shumë guxim, prandaj është e domosdoshme të studiohen nuancat specifike brenda tij.

“T’i përfshish njerëzit dhe zërat e tyre në proces e bën çdo gjë domethënëse,” thotë ajo. “Është më e vështirë. Por demokracia është e vështirë.”

Më shumë

Culture Arts Conteporary Vienna