Vienna, Austria | 23 prill 2026
HAJDE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nderohet me Çmimin Dr. Erhard Busek në Vjenë

Austria rikonfirmon mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Publikuar më mars 28, 2026Autori Majlinda Aliu
Kosovo EU 2

Vjenë, 27 mars, 2026

Parlamenti austriak organizoi një konferencë me titull “Kosovo in die EU” për të shënuar 27 vjet nga ndërhyrja humanitare në Kosovë, duke rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për rrugën evropiane të vendit.

Në këtë ngjarje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u nderua me Çmimin Dr. Erhard Busek, në vlerësim të lidershipit të saj dhe përkushtimit ndaj vlerave demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

 

Konferenca u udhëhoq nga deputeti austriak Andreas Minnich, i cili theksoi se politika austriake vazhdon të pasqyrojë trashëgiminë e ish-zëvendëskancelarit Erhard Busek, një mbështetës i kahershëm i rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, paqes dhe sundimit të ligjit.

 

Në një intervistë të shkurtër për HAJDE, Minnich rikonfirmoi përkushtimin e Austrisë për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Tani është detyra jonë të mbështesim popullin e Kosovës në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian,” tha ai. “Është e rëndësishme që i gjithë rajoni i Ballkanit të arrijë paqe dhe prosperitet. Evropa është e plotë vetëm kur Ballkani Perëndimor është pjesë e saj.”

 

Duke ndarë çmimin, Minnich e vlerësoi Presidenten Osmani si një ‘ndërtuese urash’, duke theksuar përkushtimin e saj për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se dorëzimi zyrtar i çmimit do të bëhet personalisht në një datë të mëvonshme.

 

Në një video mesazh, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë.

“Rruga jonë është e qartë, drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, jo vetëm si objektiva politike, por si vazhdimësi e natyrëshme e vlerave që përfaqësojmë: paqe, liri, drejtësi dhe sundim të ligjit. Gjithashtu dëshiroj të falënderoj sinqerisht komitetin e Dr. Erhard Busek për këtë nderim,” tha ajo.

 

 

Konferenca gjithashtu theksoi rolin jetik të diasporës së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe integrimin. Minnich vuri në pah frymën sipërmarrëse të komunitetit shqiptarë dhe kontributin e tyre të dyfishtë si për Austrinë, ashtu edhe për Kosovën.

 

“Diaspora krijon një situatë fituese për të dyja palët, duke kontribuar në ekonominë e Austrisë dhe duke mbështetur zhvillimin në vendlindje,” tha ai.

 

Sipërmarrësi Ronald Kokollari, i cili jeton në Austri që nga mesi i viteve ’90, e mbështeti këtë qëndrim, duke theksuar rolin e gjatë të diasporës në zhvillimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.

 

Folësit gjithashtu theksuan potencialin në rritje të Kosovës në sektorin e teknologjisë, të nxitur nga popullsia e re dhe e kualifikuar. Në vend të ikjes së trurit, vendi është duke tërhequr gjithnjë e më shumë investime, veçanërisht në IT dhe inovacion.

 

Minnich theksoi se Austria duhet të zgjerojë angazhimin e saj, veçanërisht në teknologjinë mjedisore dhe infrastrukturë, për të forcuar të ardhmen ekonomike të Kosovës.

Më shumë

Kosovo Austrian parliament Austria