Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Ryanair kalon 100% në karta digjitale të imbarkimit nga nëntori 2025

Kompania ajrore Ryanair, nga data 12 nëntor nuk do të pranojë më karta të printuara të imbarkimit. Kjo pritet të ndikoj në ulje të çmimeve të biletave.
Publikuar më nëntor 13, 2025Autori Leonora Aliu
Ryanair plane

Përmes një njoftimi në faqen e zyrtare, kjo kompani ka njoftuar pasagjerët e saj se tash e tutje do të paraqesin vetëm kartën digjitale përmes aplikacionit “myRyanair”, dhe se ky vendim vjen si pjesë e objektivit të kompanisë për t’u bërë linja e parë ajrore në botë që operon pa letër.

 

“Të gjithë pasagjerët e Ryanair do të vazhdojnë të marrin njoftime me email për t’u regjistruar në internet 48 dhe 24 orë para nisjes”, thuhet në informacionet e kompanisë të publikuara në faqen zyrtare të saj.

 

Sipas Ryanair, kjo nismë do të kursejë mbi 300 ton mbeturina çdo vit duke ndihmuar mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu pritet të ndikojë në uljen e kostove dhe tarifat e aeroportit për pasagjerët, si dhe do të ofrojë shërbim më të mirë duke përfshirë informacione të përditësuara për klientët në ditën e fluturimit në rast të nevojës për ri-rezervime dhe ndërprerje të mundshme të fluturimit.

Foto e gjeneruar me IA (Gemini)

 

Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar kritika në Britani të Madhe, ndërsa organizatat e konsumatorëve në Gjermani kanë paralajmëruar sfida të mundshme ligjore ndaj politikës së re. 

 

Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, ka konfirmuar se “Deri më tani, dita e parë e zbatimit të sistemit DBP të Ryanair ka qenë një sukses i madh, pasi që mbi 700 fluturime, me më shumë se 100,000 pasagjerë kanë pranuar shërbim të përmirësuar dhe përvojë më të mirë të imbarkimit pa letër në aeroportet e Ryanair-it. Ne vlerësojmë se iniciativa jonë DBP do të kursejë deri në 40 milionë euro në vit, gjë që do të na ndihmojë të ulim çmimet e biletave dhe ta bëjmë udhëtimin ajror më konkurrues për klientët tanë.”

 

Mbi 80 për qind e pasagjerëve tashmë përdorin aplikacionin e kompanisë për të rezervuar fluturime, blerë shërbime shtesë dhe ruajtur kartat e embarkimit. Për udhëtimet në grup, një person mund t’i mbajë të gjitha kartat digjitale për grupin ose t’i ndajë ato me udhëtarët e tjerë. 

 

Pasagjerët që paraqiten në aeroporte pa kartë elektronike mund ta printojnë atë në sportel kundrejt një tarife, që varion nga 30 euro në Spanjë, 40 euro në Austri dhe 55 euro në vendet e tjera të BE-së dhe Britaninë e Madhe.

Më shumë

Travel Transport