Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Universiteti i Vjenës renditet për herë të parë ndër 100 më të mirët në botë

Times Higher Education (THE) e pozicionon Universitetin e Vjenës në vendin e 95-të në edicionin e vitit 2026
Publikuar më tetor 9, 2025Autori Majlinda Aliu
Uni Wien

Për herë të parë, një universitet austriak ka shënuar këtë arritje të rëndësishme, me një ngjitje graduale që nga viti 2018. Universiteti i Vjenës është ngjitur nga vendi i 165-të në të 95-in, pra për 70 pozicione më lartë, njofton Univeristeti, përmes një komunikate për shtyp. Drejtuesit e institucionit ia atribuojnë këtë sukses fokusit strategjik në ndërkombëtarizim, përparësisë në kërkime shkencore dhe rezultateve të balancuara në fusha të ndryshme, thuhet në njoftim.

 

Ndërkohë, Universiteti i Mjekësisë i Vjenës (MedUni Vienna) ka shënuar gjithashtu përmirësim në renditjen e THE. Në edicionin e vitit 2026, ky universitet arriti vendin e 181-të, duke u ngritur nga grupi më i gjerë 201-250 i vitit të kaluar. Kjo përbën renditjen më të lartë të arritur ndonjëherë nga universiteti mjekësisë në një klasifikim jo-specialist. Në kontekst kombëtar, ai renditet menjëherë pas Universitetit të Vjenës brenda hierarkisë së arsimit të lartë në Austri, thuhet në portalin zyrtar të MedUni Vienna. 

 

Sipas të dhënave të THE për nivelet e fushave të studimit, cilësia e kërkimeve shkencore dhe bashkëpunimi me industrinë janë ndër pikat më të forta të universitetit. Lista e universiteteve më të mira në botë, e besuar nga studentë, akademikë, qeveri, dhe ekspertë të industrisë, përfshin 2,191 institucione nga 115 vende dhe territore. Universiteti i Oksfordit u rendit në vendin e parë në renditjen e THE për rangimin e 2026. 

 

 

Megjithatë, pavarësisht këtyre përparimeve, universitetet austriake përballen me sfida në Renditjen Botërore të Universiteteve QS 2026. Shumica e institucioneve kanë humbur pozicione, kryesisht për shkak të uljes së reputacionit tek punëdhënësit dhe të metrikave të citimeve. Universiteti i Vjenës mbetet radhitja më e mirë e Austrisë në renditjen QS, ndonëse ka rënë nga vendi i 137-të në 152-in. Ndërkohë, Universiteti Teknik i Vjenës (TU Wien) zbriti në 197-in, duke mbetur brenda Top 200 global, sipas një raportimit të Vienna.at

 

Këto trende kontrastuese theksojnë mënyrën se si universitetet mund të shfaqin performanca të ndryshme në sisteme të ndryshme renditjeje, në varësi të peshës që u jepet treguesve si reputacioni, ndikimi kërkimor dhe ndërkombëtarizimi.

Më shumë

University Vienna Austria