Vienna, Austria | 24 gusht 2026
HAJDE

Nga Stambolli në Graz: Dr. Rina Demjaha dhe kërkimi i saj për biomarkerët që mund të ndryshojnë neurologjinë

Në një nga qendrat kërkimore më të specializuara të Evropës për biomarkerët neurologjikë, një mjeke e re me origjinë nga Kosova po ndërton një karrierë që lidh laboratorin me pacientin, dhe Stambollin me Grazin.
Publikuar më korrik 28, 2026Autori Leonora Aliu
Rina Demjaha 1

 

Rruga drejt neurologjisë

Dr. Rina Demjaha e nisi rrugëtimin e saj profesional me një kuriozitet të hershëm për funksionimin e trupit të njeriut, të ushqyer, siç thotë ajo, nga rritja në një familje dentistësh, ku ka pasur mundësinë të shohë nga afër "ndikimin e lehtësimit të dhimbjes dhe përmirësimit të mirëqenies së pacientëve." Ky kontakt i hershëm me mjedisin shëndetësor e shtyu drejt mjekësisë si zgjedhje jete.

Brenda fushës së gjerë të mjekësisë, neurologjia e tërhoqi si specialitet që kombinon rigorozitetin shkencor me diçka më intuitive. Ajo e përshkruan atë si një lloj "pune detektivi", ku përmes ekzaminimit klinik zbulohen dhe lokalizohen probleme komplekse të sistemit nervor. Për të, kjo është edhe fusha me ndikimin më të thellë e afatgjatë në jetën e pacientëve, veçanërisht në një kohë përparimesh të shpejta diagnostike dhe terapeutike.

 

Studimet në Stamboll: gjuha, distanca dhe këmbëngulja

Rruga akademike e Dr. Demjahës nisi larg shtëpisë, në Istanbul University–Cerrahpaşa Medical Faculty, një nga fakultetet mjekësore më prestigjioze të Turqisë. Zgjedhja nuk ishte e rastësishme: vendi ofronte, siç thotë ajo, "mjekë të diplomuar të njohur ndërkombëtarisht për profesionalizmin dhe përgatitjen e tyre të lartë akademike," ndërsa vetë fakulteti i mundësoi kontakt me një sistem shëndetësor të zhvilluar dhe me nacionalitete të ndryshme pacientësh.

Përvoja s'ishte pa vështirësi. Sfida më e madhe ishte gjuha: edhe pas një viti kursi turqisht, ndjekja e ligjëratave mjekësore dhe përvetësimi i terminologjisë kërkonin një përqendrim shumë më të madh, kujton ajo. Këtij aspekti akademik iu shtua edhe përshtatja me jetën larg familjes, në një qytet të panjohur. Rrugëdalja, thotë ajo, ishte disiplina e vazhdueshme: të komunikonte sa më shumë në turqisht, duke shmangur alternativat e lehta gjuhësore. Kjo qasje "e ndihmoi jo vetëm të përmirësojë gjuhën, por edhe të integrohej më lehtë dhe shpejt në mjedisin akademik dhe shoqëror."

Përtej hapësirave të mësimnxënjes, Dr. Demjaha ka qenë pjesë aktive e jetës akademike ndërkombëtare, nga shkolla verore e lazerëve në mjekësi në Szeged e imunologjisë në Antwerp, deri te kongresi i SESAM në Bilbao. Njëkohësisht themeloi degën turke të Medical Students for Choice, organizatë jo-profitabile që avokon për edukim gjithëpërfshirës mbi shëndetin riprodhues, dhe u përfshi në komitete organizative kongresesh studentore në Stamboll.

 

Zbulimi i biomarkerëve dhe hapi drejt Austrisë

Interesi për kërkimin shkencor u zhvillua gradualisht gjatë studimeve, ndërkohë që Dr. Demjaha vërente dinamizmin e neuroshkencës si një nga fushat më të avancuara të mjekësisë. Pikëkthesa erdhi kur gjeti një projekt kërkimor mbi biomarkerët neurologjikë në gjak, një drejtim që deri kohët e fundit ishte kufizuar nga mungesa e teknologjisë së duhur për zbulimin e tyre. Mundësia për të punuar në një universitet të pajisur me teknologji unike, siç thotë ajo, "e para dhe ende vetmja e këtij lloji në Austri," e bindi të aplikojë për atë pozitë, hap që shënoi fillimin e karrierës së saj kërkimore në neuroshkencë.

Sot Dr. Rina Demjaha punon në Neurology Biomarker Research Unit të Departamentit të Neurologjisë në Medical University of Graz. Puna e saj përqendrohet te biomarkerët e lëngjeve trupore, kryesisht në kontekstin e sëmundjeve neuroimunologjike dhe neurodegjenerative, si dhe te plakja e trurit dhe mekanizmat biologjikë që e karakterizojnë atë. Një drejtim tjetër i hulumtimit të saj krahason biomarkerët e gjakut me markerë neuroimazherikë të bazuar në inteligjencë artificiale, me synimin për të identifikuar korrelacione që mund të çojnë në metoda diagnostike dhe prognostike më të sakta.

Rëndësinë e kësaj fushe ajo e sheh të lidhur ngushtë me të ardhmen e mjekësisë së personalizuar. 

"Biomarkerët, hapin rrugë për diagnostikim më të hershëm dhe më të saktë, monitorim më pak invaziv, e në raste si skleroza multiple, edhe për parashikimin e relapsave," thotë ajo. 

Bashkëpunimet ndërkombëtare, me qendra në Zvicër, Angli, Spanjë, Itali dhe SHBA, ia kanë pasuruar më tej rrjetin dhe qasjen shkencore.

 

 

Sfidat dhe kënaqësitë e mjekes klinike

Krahas laboratorit, Dr. Demjaha vlerëson edhe dimensionin njerëzor të neurologjisë. Ajo që e mban të motivuar është kompleksiteti individual i çdo rasti dhe nevoja për të kombinuar mendimin kritik me komunikim të kujdesshëm me pacientin. Sfida më e madhe, sipas saj, mbetet fakti që shumë sëmundje neurologjike ende nuk kanë trajtime kurative, çka e bën krijimin e marrëdhënies së besimit dhe mbështetjen emocionale po aq të rëndësishme sa vetë trajtimi mjekësor.

Ndër arritjet që e bëjnë më krenare numëron bursën meritore nga Republika e Turqisë, përfundimin e studimeve në Cerrahpaşa në një gjuhë të mësuar vetëm një vit më parë, si dhe "Young Investigator Award" nga Shoqata Austriake e Alzheimer-it (ÖAG). Kërkimi i saj është prezantuar në kongrese si ai i European Academy of Neurology (EAN) dhe ECTRIMS, ku së fundmi është ftuar të bashkëudhëheqë një workshop mbi biomarkerët neurologjikë krahas mentorit të saj.

Për të ardhmen, përtej thellimit të mëtejshëm në neuroimunologji e neurodegjenerim, e intrigon veçanërisht ndërthurja e robotikës me neuroshkencën, një drejtim që beson se mund të transformojë diagnostikimin dhe rehabilitimin. Nëse do të kthehej një ditë në Kosovë, thotë se do të donte të kontribuonte në forcimin e lidhjes mes kërkimit shkencor dhe praktikës klinike, si dhe në edukimin e brezave të rinj të mjekëve.

 

Mesazhi i saj për të rinjtë:

"Mesazhi im për ta do të ishte të mos e nënvlerësojnë veten apo prejardhjen e tyre. Me përkushtim, disiplinë dhe punë të vazhdueshme, është e mundur të arrijnë në universitete, institucione dhe projekte shumë prestigjioze," thotë Dr. Rina Demjaha, duke shtuar se studimet dhe puna jashtë vendit sjellin jo vetëm zhvillim profesional, por edhe rritje personale e një perspektivë më të gjerë mbi botën. Për studentët e mjekësisë që synojnë karrierë kërkimore, këshilla e saj është e thjeshtë: "Pasioni për të ndjekur ëndrrat dhe këmbëngulja përballë sfidave janë çelësi kryesor i suksesit."

Më shumë

Neurology Turkey Kosovo Austria