Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Thyerja e Heshtjes Arkivore: Rikthimi i Tregimeve të Diasporës Shqiptare përtej Flamujve dhe Folklorit

Studiueset Alberta Sinani dhe Rina Limoni hapin debatin mbi përpilimin e arkivit digjital të diasporës
Publikuar më dhjetor 9, 2025Autori Majlinda Aliu
Screenshot 2025 12 07 at 15 21 57

Në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kur flamujt kuqezi zakonisht dominojnë festimet në diasporën shqiptare, në kryeqytetin austriak në Vjenë u mbajt një takim i një natyre tjetër.

Nuk kishte flamuj, as himne nacionaliste, dhe as atmosferë koncerti. Në vend të tyre, një ngjarje e qetë por politikisht e ngarkuar ftoi pjesëtarët e diasporës shqiptare të bënin diçka që rrallë u kërkohet: të arkivonin vetveten.

 

Nisma Breaking Archival Silence (Thyerja e Heshtjes Arkivore) u lançua më 28 nëntor 2025 nga Rina Limoni dhe Alberta Sinani, dy studiuese të diasporës dhe të angazhuara me aktivitete për komunitet. Jetët personale të tyre pasqyrojnë historitë komplekse të migrimit nga Kosova drejt Evropës Perëndimore.

 

Dy Nismëtare, Shumë Zëra

Rina Limoni ka lindur në Gjilan, Kosovë, dhe u shpërngul me familjen e saj në Gjermani në mesin e viteve ’90. Shkak ishte aktivizmi politik të babait të saj. Më pas u vendos në Londër, ku jeton prej më shumë se 15 vitesh. Me formim akademik në gjeografi politike dhe gjeopolitikë, Limoni ka hulumtuar përfshirjen e diasporës në ndërtimin e shtetit dhe aktivizmin politik.

Alberta Sinani ka lindur në rrethinë të Prizrenit, në Kosovë, dhe u shpërngul me familjen e saj në Austri në fillim të viteve ’90, kur ishte vetëm dy vjeçe. E shkolluar në Vjenë, ajo sot punon me komunitete migrante dhe është e specializuar në shkenca politike, dizajn social dhe psikologji komunitare.

Që të dyja flasin rrjedhshëm shqip, gjermanisht dhe anglisht. Ato e përshkruajnë veten si produkte të lëvizjeve diasporike, e jo si të përkatësisë së një identiteti të vetëm kombëtar. Së bashku, ato nisën Breaking Archival Silence për të sfiduar mënyrën se si regjistrohet historia e diasporës dhe kush ka të drejtë t’i tregojë këto histori. Në një intervistë me Hajde, ato ofrojnë më shumë detaje mbi këtë nismë.

 

Një Arkiv që Thyen Heshtjen

Në thelb, Breaking Archival Silence është një eksperiment në rikonceptimin e arkivit. Në vend të mbledhjes vetëm të dokumenteve zyrtare ose dëshmive të shkruara, projekti fton komunitetin të ofroj tregime personale, objekte, kujtime gojore dhe dialog.

“Tradicionalisht, arkivi është tekstual,” thotë Limoni. “Por njerëzit e margjinalizuar shpesh janë të përjashtuar nga format zyrtare të dijes. Megjithatë, ata mund të flasin, të performojnë, të përdorin simbolikën, elemente që poshtu i takojnë arkivës.”

Si simbolikë, ato vendosën një ‘kufer’ (valixhe) të vjetër në hapësirë dhe të pranishmit u ftuan të vendosnin objekte brenda tij dhe të shpjegonin domethënien personale. Ky akt simbolizon atë që migrantët mbartin me vete, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht dhe historikisht.

“Nuk po përpiqemi të flasim mbi njerëzit,” shpjegoi Limoni. “Ne qëndrojmë pranë tyre.”

 

Vjena si Udhëkryq i Diasporës

Vjena, është shtëpi e një popullsie të madhe migrante shqiptare, meqë ishte vend i përshtatshëm për migrim. Por, pavarësisht dekadave të vendosjes këtu, Alberta Sinani argumenton se komuniteti ende vuan mungesën e hapësirave fizike, përfaqësimit dhe zërave që i reprezentojnë këto komunitete. 

“Kur bëhet fjalë për shoqërinë shqiptare, ka mungesë hapësirash komunitare,” tha ajo. “Nuk kemi mjaft njerëz që dalin përpara dhe përfaqësojnë diversitetin e diasporës sonë.”

Kjo mungesë, shtoi ajo, është veçanërisht e dëmshme për brezat e rinj që lëvizin mes identiteteve kulturore të shumëfishta.

 

 

Pse Arkivi është Politik

Për Rina Limonin dhe Alberta Sinanin, arkivi nuk është neutral. Ai është një përgjigje ndaj asaj që Limoni e përshkruan si një proces të vazhdueshëm të “tjetërsimit” si në perëndim ashtu edhe në Kosovë.

“Në perëndim, nuk je kurrë individ,” thotë Limoni. “Je gjithmonë migrant, gjithmonë i grupuar. Nuk të lejohet kurrë të jetosh një jetë ‘të mërzitshme’.”

Ky kategorizim vazhdon edhe kur pjesëtarët e diasporës kthehen në Kosovë. Limoni përshkruan ndjenjën e gjykimit për shkak të përdorimit të gjermanishtes dhe elementeve të një socializimi ndryshe. “Gjuha është pjesë e identitetit tënd,” thotë ajo, “dhe këtu fillon tjetërsimi.” 

Diskursi 'schatzy', të cilin Limoni e analizon me kritikë në podkastin e saj, përshkruan këtë formë të përditshme të distancimit simbolik, ku diaspora romantizohet dhe njëkohësisht margjinalizohet.

Ajo thekson se ndonëse institucionet e Kosovës nuk kanë pushtet strukturor për ta shtypur diasporën, diskursi i përditshëm ende e margjinalizon atë. Kjo ilustron një përjashtim të dyfishtë: diaspora pozicionohet si e jashtme si për shoqëritë perëndimore ashtu edhe për Kosovën.

“Kjo heshtje na rikthen te arkivi,” tha Limoni. “Sepse kurrë nuk na lejohet t’i përcaktojmë vetë historitë tona.”

Në këtë kontekst, mungesa e arkivave nuk është e rastësishme. Arkivat tradicionale privilegjojnë shtetësinë e qëndrueshme, vazhdimësinë territoriale, shkrim-leximin dhe njohjen institucionale. Jetët migrante, të copëzuara nga kufijtë dhe të formësuara nga ndërprerjet, rrallë i plotësojnë këto kritere. Si rezultat, diaspora shqiptare shfaqet historikisht ‘e zbehët’, pavarësisht rëndësisë së saj politike, sociale dhe ekonomike.

 

Rinia, Identiteti dhe Shëndeti Mendor

Sinani e lidh drejtpërdrejt mungesën e arkivave me shëndetin mendor të të rinjve. Migrantët e rinj, thtë ajo, rriten nën presionin e debateve politike rreth integrimit, gjuhës dhe përkatësisë.

“Tani jemi brezi i tretë ose i katërt,” shton ajo duke pyetur: "A identifikohemi ende si diasporë? Çfarë do të thotë kjo?”

Pa pasur qasje në historitë e tyre, të rinjtë mbeten pa pika orientimi, argumenton Sinani. “Përkatësia është thelbësore për shëndetin mendor. Nëse ato faza të ndërtimit të identitetit mungojnë, ku mund ta forcojnë veten fëmijët migrantë?” ngre dilema Sinani.

Arkivi, nuk ka për qëllim të imponojë identitete. Nuk të thotë çfarë të mendosh apo të besosh,” shton ajo. “Arkivi ta kthen zërin që ke humbur gjatë procesit të migrimit.”

 

 

Çfarë vjen pas kësaj? 

Breaking Archival Silence në Vjenë shënoi fillimin e një iniciative më të gjerë evropiane. Takimi i radhës do të mbahet në Londër, duke zgjeruar arkivin si gjeografikisht ashtu edhe demografikisht.

Për Limonin dhe Sinanin, qëllimi është afatgjatë: të hartëzojnë vendet ku janë zhvilluar jetët e diasporës shqiptare në Evropë dhe të analizojnë se si këto jetë vazhdojnë të formësojnë si shoqëritë pritëse ashtu edhe idetë për atdheun.

“Po sfidojmë atë që quhet arkiv,” thotë Limoni. “Dhe po e bëjmë këtë me njerëzit, jo për njerëzit.”

Në një diasporë që shpesh përshkruhet përmes nostalgjisë ose dobisë ekonomike që ka, Breaking Archival Silence ofron një propozim tjetër: se tregimi i historisë personale nuk është vetëm një akt kujtese, por edhe një akt pranie politike.

Më shumë

Identity Diaspora Migration