Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

OJQ-ja idëmo! me seli në Vjenë ka nisur iniciativën e saj të re, “Akademidëmo”

Programi i lansuar ofron një seri punëtorish dhe ligjëratash që do të mbahen në Vjenë midis shkurtit dhe prillit 2026.
Publikuar më shkurt 19, 2026Autori Majlinda Aliu
Idemo activity

E konceptuar si një platformë edukimi e udhëhequr nga komuniteti, programi i “Akademidëmo” inkurajon pjesëmarrësit të ndajnë aftësitë e tyre, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë lidhje domethënëse mes vete.

 

Aktivitetet përfshijnë punëtori kreative dhe praktike, siç janë trajnime dizajni duke përdorur Canva, sesione të të folurit në publik. Po ashtu do mbahen ligjërata dhe diskutime mbi tregjet e energjisë, të drejtat e njeriut dhe sfidat mjedisore në Ballkanin Perëndimor.

 

Këto janë ngjarjet që ofron Akademidëmo nga shkurti deri në prill:

 

Më 25 shkurt, eksperti i tregut të energjisë, nga i Komunitetit të Energjisë, Arben Kllokoqi, do të mbajë një ligjëratë me titull “Tregjet e Energjisë në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, Varësitë dhe Ndikimi Mjedisor dhe Klimatik”. Ky ligjërim dhe diskutim do të shqyrtojë se si tregjet e energjisë në Ballkanin Perëndimor po zhvillohen dhe po harmonizohen me rregullat e Bashkimit Evropian përmes bashkëpunimit rajonal. Sesioni do të fokusohet në përfitimet e integrimit, përfshirë siguri më të madhe energjetike, çmime më të qëndrueshme dhe potencial më të fortë për investime. Ai gjithashtu do të prezantojë politikat kryesore klimatike të BE-së dhe do të trajtojë sfidat me të cilat përballen ekonomitë e varura nga qymyri, duke ofruar një pasqyrë mbi tranzicionin e rajonit drejt një të ardhmeje energjetike më të pastër dhe më rezistente.

 

Në foto: Bordi i idëmo!

 

Më 26 shkurt, një punëtori praktike e udhëhequr nga profesionistja e medias Mira Schwab do ta prezantojë  platformën e njohur Canva të dizajnit për krijimin e përmbajtjes vizuale për audienca dhe platforma të ndryshme digjitale. Sesioni do të ofroj përgatitje në redaktim të tekstit, grafikëve dhe imazheve, si dhe përshtatje të shablloneve për përdorim profesional. Pjesëmarrësit do të mësojnë gjithashtu parimet kryesore të dizajnit, këshilla praktike dhe mënyrën e aplikimit të udhëzimeve të brendit dhe skemave të ngjyrave për të krijuar materiale vizuale të qarta, tërheqëse dhe të përshtatshme për audiencën.

 

Më 11 mars, Akademidëmo do të mbaj një punëtori për të folurit në publik, e udhëhequr nga konsulentja politike Teresa Reiter do t’i përgatisë pjesëmarrësit të paraqiten me vetëbesim në diskutime panelesh dhe të komunikojnë mesazhin e tyre në mënyrë efektive. Përmes ushtrimeve praktike në një grup të vogël, pjesëmarrësit do të mësojnë të afirmojnë veten, t’u përgjigjen folësve më me përvojë dhe të japin kontribute të qarta dhe me ndikim në skenë. Duke përdorur idëmo! si rast studimi, sesioni do të ofrojë përvojë praktike dhe strategji për të forcuar vetëbesimin dhe praninë e pjesëmarrësve në debatet publike.

 

Më 1 prill, një ligjëratë dhe punëtori interaktive do t’i prezantojë pjesëmarrësit me bazat e të drejtave të njeriut dhe mënyrën se si funksionon sistemi global i të drejtave të njeriut. E udhëhequr nga avokatja dhe aktivistja Mirna Kusljugic, sesioni do të kombinojë njohuri ligjore me aktivitete interaktive, duke u mundësuar pjesëmarrësve të eksplorojnë rolin e të drejtave të njeriut në jetën e përditshme dhe mënyrat për të mbështetur mbrojtjen e tyre. Ngjarja do të shqyrtojë gjithashtu sfidat dhe debatet aktuale globale mbi të drejtat e njeriut, duke inkurajuar diskutimin mbi disa nga çështjet më urgjente dhe më të diskutueshme që formësojnë botën e sotme.

 

Programi përfshin gjithashtu aktivitete interaktive dhe sociale, siç është futbolli, me qëllim që të bashkojë pjesëmarrësit në një mjedis joformal, duke forcuar si punën ekipore ashtu edhe frymën komunitare. 

Shumica e sesioneve janë falas për anëtarët si dhe janë të hapura për publikun e gjerë me një tarifë të vogël, duke siguruar qasje dhe duke mbështetur aktivitetet e organizatës.

 

 

Përmes iniciativave si Akademidëmo, idëmo! jo vetëm që promovon arsimin dhe zhvillimin personal, por gjithashtu krijon një platformë për dialog dhe bashkëpunim. Aktivitetet e saj pasqyrojnë misionin më të gjerë të organizatës për të lidhur komunitetet, për të fuqizuar individët dhe për të kontribuar në një të ardhme më demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

 

idëmo! është një orgsnizatë multi-etnike e përkushtuar për të bashkuar njerëz me lidhje ose interes në Ballkanin Perëndimor dhe për të nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe vlerat demokratike. Misioni i saj fokusohet në forcimin e kohezionit social, promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe përfshirjes, si dhe fuqizimin e të rinjve për të formësuar në mënyrë aktive të ardhmen e rajonit të tyre. Organizata gjithashtu mbështet integrimin evropian dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në Ballkanin Perëndimor duke inkurajuar arsimin, angazhimin qytetar dhe mirëkuptimin ndërkulturor.

Më shumë

Energy Media Human rights Sport