Vienna, Austria | 23 tetor 2026
HAJDE

“HOPE” në Vjenë: Baleti dhe letërsia bashkojnë artin me ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit

Përmes projektit “Fjalë e Lëvizje”, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti përcollën mesazhe shprese, solidariteti dhe vetëdijesimi në një mbrëmje kulturore në Brunnenpassage, në Vjenë.
Publikuar më tetor 20, 2026 • Autori Fleta Rexhaj
HOPE 4

 

Nganjëherë nuk duhen fjalë për ta treguar një histori. Nganjëherë mjafton një lëvizje, një shikim apo një moment heshtjeje për të shprehur diçka që fjalët nuk arrijnë ta përshkruajnë. Pikërisht këtë e dëshmoi shfaqja “HOPE” e Baletit Kombëtar të Kosovës në Brunnenpassage të Vjenës.

Në kuadër të projektit “Fjalë e Lëvizje”, arti, letërsia dhe përgjegjësia shoqërore u bashkuan në një mbrëmje të veçantë. Me rastin e muajit tetor, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në qendër të vëmendjes ishte një mesazh që shkon shumë përtej sallës ku u mbajt ngjarja: shpresa nuk është vetëm një ndjenjë, por një forcë që i bashkon njerëzit.

Shfaqja Hope- Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës- Foto e huazuar nga faqja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri

 

Kur shpresa bëhet forca më e madhe përballë sëmundjes

Një nga bisedat më prekëse të mbrëmjes ishte ajo me Nezaqete Rukovcin, e cila këtë ngjarje e ka inicuar nga motivi personal. Duke qenë eksperte e kulturës dhe drejtoreshë ekzekutive e Action for Health Kosova ka gjetur hapësirë që përmes artit të flasë për një temë të ndjeshme siç është kaceri i gjirit. Ajo për portalin HAJDE, tregoi për përvojën e saj personale me kancerin.

“Shpresa është ndjenja më e qëndrueshme, pavarësisht rrethanave, edhe në momentin kur një person përballet me një sëmundje”, u shpreh Rukovci.

Për të, shpresa nuk është vetëm një fjalë apo një mendim abstrakt. Ajo është dëshira për të jetuar, guximi për t'u përballur me sëmundjen dhe dëshira për të mos u ndarë nga njerëzit më të dashur.

Nga përvoja e saj personale, Rukovci e di se një diagnozë me kancer sjell shumë më tepër sesa vështirësi fizike. Frika, pikëllimi dhe stigmatizimi nga shoqëria mund ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen e personave të prekur, tregon ajo. 

Veçanërisht të bënë të mendosh deklarata e saj se stigmatizimi nganjëherë mund të jetë edhe më i rëndë se vetë sëmundja. Përderisa një person i sëmurë mund të kërkojë ndihmë mjekësore, paragjykimet e shoqërisë shpesh bëjnë që ai të ndihet i izoluar.

Mesazhi i saj ishte i thjeshtë, por shumë domethënës: dashuri, solidaritet dhe empati. Nëse përmes kësaj ngjarjeje arrihet të inkurajohet qoftë edhe një person i vetëm që të kërkojë ndihmë dhe të luftojë kundër stigmatizimit, atëherë, sipas saj, qëllimi i organizimit është arritur.

Shfaqja Hope- Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës- Foto e huazuar nga faqja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri

 

Në këtë aktivitet të mbajtur në qendrën kulturore Brunnenpassage, në Vjenë Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës prezantoi shfaqjen “HOPE”, me koreografi të Sead Vuniqit, në kuadër të projektit “Fjalë e Lëvizje”. 

Sipas Ermal Vejsës, udhëheqës i organizatës KÂ, interesimi për projektin ishte shumë i mirë, ndërsa publiku e priti ngrohtësisht programin artistik. Të pranishëm ishin pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Austri, si dhe publik të huaj.

“Shfaqja ‘HOPE’, nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, me koreografi të Sead Vuniqit, solli një mesazh të fuqishëm përmes lëvizjes dhe shprehjes artistike, duke e lidhur artin me një temë të ndjeshme shoqërore, siç është kanceri i gjirit”, theksoi Vejsa në përgjigjet për portalin HAJDE.

 

Shfaqja Hope- Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës- Foto e huazuar nga faqja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri

 

Arti si gjuhë e përbashkët për një temë të ndjeshme

Përmes lëvizjeve të sinkronizuara dhe shprehjes trupore, shfaqja “HOPE” synoi të krijojë një hapësirë reflektimi mbi përvojat e personave që përballen me kancerin e gjirit. Mesazhi i saj shkon përtej përjetimit estetik, duke nxitur hapjen e diskutimeve për shëndetin, parandalimin dhe mbështetjen shoqërore.

Vejsa vlerëson se arti mund të ndihmojë në trajtimin e temave për të cilat shpeshherë flitet me vështirësi.

“Arti mund të na ndihmojë të flasim më hapur për tema të ndjeshme, të thyejmë tabutë dhe të nxisim solidaritetin”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai nënvizoi se arti nuk e zëvendëson informacionin mjekësor apo kontrollet parandaluese, por mund të shërbejë si pikënisje për ndërgjegjësim dhe reflektim.

Edhe Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, vlerësoi rolin e performancës së baletit në përcjelljen e mesazhit te publiku. Sipas tij, ndërgjegjësimi për sëmundjet kancerogjene kërkon përgjegjësi të përbashkët, duke filluar nga familja e deri te institucionet shtetërore.

 

Në foto: shkrimtarja Mimoza Ahmetaj, Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri.  Foto e huazuar nga faqja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri

 

Letërsia që i afron njerëzit

Përveç baletit, publiku pati mundësinë ta dëgjonte edhe shkrimtaren e njohur Mimoza Ahmeti gjatë një ore letrare. Salla e Brunnenpassage, në distriktin e 16-të të Vjenës, ishte e mbushur me dashamirë të letërsisë.

Ahmeti foli për prozën, poezinë, dashurinë dhe identitetin. Mendimet e saj dhanë mesazhe se lumturia nuk gjendet gjithmonë në ngjarjet e mëdha të jetës, por shpesh edhe në momentet e vogla, të cilat ndonjëherë nuk i vërejmë.

Mimoza Ahmeti, sipas përshkrimit të Markut, vuri në pah rëndësinë e vazhdimësisë si një koncept universal dhe mundësinë për ta gjetur lumturinë edhe në gjërat e vogla. Ajo gjithashtu trajtoi raportin e njerëzve me librin në një kohë kur interesimi për leximin shpesh konsiderohet në rënie.

Bashkimi i letërsisë me baletin krijoi një dialog mes dy formave të artit, që në mënyra të ndryshme përcollën të njëjtën dëshirë njerëzore: të kuptohemi nga të tjerët.

Projekti u organizua nga KÂ, në bashkëpunim me Action for Health Kosova dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe Brunnenpassage.

Në përfundim, mesazhi i aktivitetit u përmblodh në moton “Jemi një”: një thirrje për bashkëpunim, solidaritet dhe ndërgjegjësim, duke dëshmuar se kultura mund të shërbejë si urë lidhëse mes njerëzve dhe si mjet për të sjellë në vëmendje çështje që prekin gjithë shoqërinë.

Më shumë

Ballet Arts Literature