Vienna, Austria | 13 qershor 2026
HAJDE

Kosovarët në Austri i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e 7 qershorit

Një ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, qytetarët e regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike kanë nisur sot procesin zgjedhor në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës anembanë botës.
Publikuar më qershor 6, 2026Autori Majlinda Aliu
Screenshot 2026 06 06 at 17 36 07

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në Austri, për herë të tretë brenda vetëm 16 muajsh, iu drejtuan Ambasadës së Kosovës në Vjenë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Dyert e qendrës së votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa interesimi i bashkatdhetarëve ishte i dukshëm që në orët e para.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përfaqësinë diplomatike në Vjenë, ku janë vendosur dy vendvotime, kanë votuar gjithsej 907 qytetarë, ose rreth 80 për qind e votuesve të regjistruar.

Mes votuesve ishte edhe familja Rexhaj nga Istogu, e cila jeton në Austri prej më shumë se dy dekadash. Për ta, kjo ishte hera e parë që votonin fizikisht në hapësirat e ambasadës, pasi në të kaluarën nuk kishin qenë shumë aktivë në proceset zgjedhore.

Kryefamiljari, Blerim Rexhaj, thotë se zvarritja e tejzgjatur e proceseve politike në Kosovë e shtyu atë dhe familjen e tij të angazhohen më shumë këtë herë dhe ta shprehin qëndrimin e tyre përmes votës.

“Gjithçka po zgjat më shumë sesa duhet dhe ne mendojmë se përmes votës mund t’i japim një shtytje pozitive këtij procesi”, thotë ai.

Sipas Rexhajt, zëri i diasporës ka një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike në Kosovë.

“Ndonëse jetojmë në Austri, 99 për qind e zemrës sonë është në Kosovë”, shprehet ai me emocion.

Edhe bashkëshortja e tij, Fitore Rexhaj, thotë se çdo proces zgjedhor që lidhet me vendlindjen shoqërohet me emocione të veçanta.

“Gjithmonë emocionohemi kur bëhet fjalë për Kosovën. Nuk presim ndryshime të mëdha, por shpresojmë që të ketë zhvillime pozitive”, thotë ajo.

Më i veçantë ky proces zgjedhor ishte për vajzën e tyre, Fleta Rexhaj, e cila për herë të parë mori pjesë në votim.

“Ndjehem shumë mirë që kam votuar. Shpresoj që vota jonë të ndihmojë proceset demokratike dhe vendlindjen tonë”, thotë ajo.

 

Foto nga procesi zgjedhor në selinë diplomatike të RKS në Vjenë- Foto e huazuar nga Ambasada e RKS në Austri

 

Ndryshe nga familja Rexhaj, për familjen Gashi kjo ishte hera e tretë që votonin në Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Për të ushtruar të drejtën e votës, ata kishin udhëtuar më shumë se dy orë nga Grazi drejt kryeqytetit austriak.

Berat Gashi thotë se pjesëmarrja në zgjedhje ka një rëndësi të veçantë për familjen e tij.

Ai tregon se jeton në Austri prej 28 vitesh dhe, megjithëse ka pasur mundësinë, nuk ka marrë shtetësinë austriake, pasi nuk ka dashur të heqë dorë nga shtetësia e Kosovës.

“Shpresojmë që këto zgjedhje ta zgjidhin ngërçin politik. Por nëse kjo nuk ndodh, do të vazhdojmë të marrim pjesë në çdo proces zgjedhor, sa herë që të jetë e nevojshme, derisa gjërat të përmirësohen”, thotë ai.

Edhe bashkëshortja e tij, Shpresa Gashi, thekson se udhëtimi nga Grazi nuk ka qenë asnjëherë pengesë për të votuar.

“Tashmë që na është mundësuar votimi në ambasadë, duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Presim që gjërat të ecin përpara dhe të bëhen edhe më mirë”, shprehet ajo.

Familja Gashi viziton Kosovën të paktën dy herë në vit, por, sipas tyre, zhvillimet politike në vend i ndjekin çdo ditë me shumë vëmendje.

“Ne i përcjellim vazhdimisht ngjarjet politike në Kosovë. Çdo ndryshim, çdo përmirësim apo vendim që merret na intereson drejtpërdrejt”, thotë Berat Gashi.

 

Foto nga procesi zgjedhor në selinë diplomatike të RKS në Vjenë- Foto e huazuar nga Ambasada e RKS në Austri

Edhe qytetarë të tjerë me të cilët biseduam gjatë procesit zgjedhor u shprehën të kënaqur me organizimin dhe mbarëvajtjen e votimit. Ata vlerësojnë se votimi në përfaqësitë diplomatike u mundëson të marrin pjesë aktivisht në proceset demokratike dhe të mbështesin subjektet politike sipas bindjeve të tyre.

 

Sipas të dhënave të konfirmuara nga Ambasada e Kosovës në Austri, gjithsej 1.125 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, ndërsa 3.308 shtetas të Kosovës që jetojnë në Austri janë regjistruar për votim përmes postës. Interesimi i diasporës kosovare në Austri për pjesëmarrje në zgjedhje ka shënuar rritje të vazhdueshme krahasuar me proceset e fundit zgjedhore.

 

Foto nga procesi zgjedhor në selinë diplomatike të RKS në Vjenë- Foto e huazuar nga Ambasada e RKS në Austri

Në nivel global, sipas KQZ-së, 27.724 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës arrin në 132.212. Prej tyre, më shumë se 100 mijë kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

 

Këto shifra dëshmojnë për rolin gjithnjë e më të madh që diaspora po luan në proceset demokratike të Kosovës, duke e shndërruar votën e mërgatës në një faktor të rëndësishëm në përcaktimin e drejtimit politik të vendit.