Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

BE miraton rregulla të reja: ndalimi i lejes së ngasjes do të ndjek shoferët përtej kufijve

Një paketë e re ligjore, e miratuar nga Parlamenti Europian më 21 tetor 2025, do ta bëjë shumë më të vështirë për shoferët që u është ndaluar ngasja në një vend të BE-së, ta përdorin ate në vendet e tjera anëtare.
Publikuar më tetor 21, 2025Autori Majlinda Aliu
Gemini Generated Image traffic accident

Shoferët që kanë bërë shkelje serioze në trafik në një vend të BE-së, nuk do të mund t’i shmangen më ndalimit të patentës në vende tjera të Unionit.
 

Sipas sistemit aktual, kur një shkelje serioze në trafik, si drejtimi nën ndikimin e alkoolit apo drogave, shkaktimi i vdekjes apo lëndimeve të rënda, ose tejkalimi i kufirit të shpejtësisë mbi 50 km/orë apo më shumë, ndodh në një vend tjetër të BE-së nga ai ku është lëshuar patenta, sanksioni zbatohet vetëm në vendin e shkeljes. Ndërkohë, shoferi mund të vazhdojë ta përdorë patentën në shtete të tjera anëtare, raporton The Local.

Me rregulloren e re, kur “shteti anëtar ku ndodh shkelja” pezullon lejen e ngasjes për të paktën tre muaj pa të drejtë apelimi, ky shtet duhet të njoftojë shtetin anëtar që ka lëshuar patentën. Shteti lëshues i patentës do të jetë i detyruar të zbatojë pezullimin, tërheqjen ose kufizimin përkatës të patentës, duke e bërë ndalimin të vlefshëm në të gjithë territorin e BE-së.

Ky ligj i ri është pjesë e paketës së gjerë për sigurinë rrugore të BE-së dhe synon të mbyllë boshllëkun që ka lënë rreth 40% të shkeljeve serioze ndërkufitare pa zbatim të plotë.

Një praktikë e tillë do të ndiqet pas vitit 2029, meqë sipas euronews, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, vendet anëtare do të kenë tre vjet kohë për ta përshtatur direktivën në legjislacionin kombëtar, si dhe një vit shtesë për përgatitje për zbatim.  

 

 

Rregullat janë pjesë e një pakete të re që synon rritjen e sigurisë rrugore, sidomos duke pasur parasysh se vitin e kaluar pothuajse 20.000 persona humbën jetën në aksidente rrugore në BE. Bashkimi Europian ka vendosur një objektiv ambicioz për zero viktima deri në vitin 2050.

Të dhënat më të fundit të Komisionit Europian tregojnë se Suedia dhe Danimarka janë vendet më të sigurta për drejtuesit e automjeteve, me përkatësisht 20 dhe 24 vdekje për çdo milion banorë në vit. Austria shënoi një ulje prej 13% të viktimave vitin e kaluar, duke arritur në 349 vdekje në aksidente rrugore, thuhet në një raport të the international. Kjo është ekujvalente me 38 vdekje për çdo milion banorë.

Në anën tjetër, Rumania dhe Bullgaria raportojnë numrat më të lartë të fatalitetit, përkatësisht 78 dhe 74 vdekje për çdo milion banorë në vit.

Më shumë

Eu rules Transport Safety