Vienna, Austria | 03 maj 2026
HAJDE

Tre shtetas të Kosovës dhe një nga Bosnja dhe Hercegovina humbin jetën nga aksidenti në Vjenë

Vjenë – Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në kryeqytetin austriak ka rezultuar me humbjen e jetës së katër personave, tre prej të cilëve janë shtetas të Republikës së Kosovës, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për rrethanat e ngjarjes.
Publikuar më mars 18, 2026Autori Majlinda Aliu
Accident in Vienna-Reuters

Sipas autoriteteve austriake, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke zënë poshtë punëtorët. Mediat ndërkombëtare raportojnë se bëhet fjalë për një shembje të skelave në kantier, që ka shkaktuar vdekjen e katër personave dhe ka lënë edhe të lënduar.

 

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka konfirmuar se ndër viktimat janë tre shtetas kosovarë, Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj. 

Fillimisht u konfirmuan dy viktima nga Kosova, ndërsa më vonë u bë e ditur se edhe viktima e tretë është shtetas kosovar. Identiteti i viktimës së katërt nuk është bërë ende publik. Jo zyrtarisht, HAJDE ka mësuar dhe viktima e katërt është nga Bosnja dhe Hercegovina. 

Në reagimin e saj, Ambasada e Kosovës në Austri ka shprehur dhimbje të thellë për tragjedinë dhe u ka dërguar ngushëllime familjeve të viktimave. Po ashtu, është bërë e ditur se institucioni diplomatik është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët, për të ndihmuar në procedurat dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme.

“Jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim dhe jemi të angazhuar për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

 

Autoritetet në Austri kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të publikohen më shumë detaje lidhur me këtë ngjarje tragjike.

 

Më shumë

Vienna Kosovo