Vienna, Austria | 16 mars 2026
HAJDE

Perspektiva e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Çfarë roli luan Austria në procesin e integrimit?
Publikuar më tetor 7, 2025Autori Majlinda Aliu
EU TALKS 2

Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ishte tema e diskutimit të një paneli që u zhvillua në kuadër të serisë së bisedave të organizuara nga Europa Zentrum në Vjenë. Studiues nga Maqedonia e Veriut, me bazë në Vjenë, mbajtën një qëndrim kritik ndaj të dyja palëve, duke kritikuar dështimin e vendit për të avancuar reformat, ndërsa njëkohësisht vunë në dukje mungesën e qëndrueshmërisë dhe ndryshimin e kritereve nga ana e BE-së.

 

Lura Pollozhani, kërkuese shkencore në Universitetin e Grazit, dhe mban titull doktorate në Drejtësi dhe Politikë nga i njëjti institucion. Ajo ka shërbyer gjithashtu si këshilltare e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Gjatë diskutimit, ajo ndau përshtypje të përziera për procesin e integrimit.


“Ky është një vallëzim mjaft delikat, meqë kemi parë vende si Maqedonia e Veriut, e cila kur besonte vërtet se do të bëhej pjesë e BE-së, ajo ishte shumë aktive në reforma dhe dha rezultate. Këshilli ka rekomanduar vazhdimisht hapjen e negociatave për anëtarësim, megjithatë ende asnjë kapitull nuk është hapur,” tha ajo.  

 

Sipas saj, procesi i tejzgjatur i afrimit me BE-në ka krijuar hezitim dhe tone kritike në mesin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor ndaj angazhimit të BE-së në këtë proces. Në të njëjtën kohë, zyrtarët evropianë kritikojnë rajonin për mungesë përparimi në reforma. Ajo theksoi se institucionet e BE-së duhet të kenë një qëndrim të qartë mbi qëllimin përfundimtar.

“Kur vendet shohin se BE-ja jep rezultate, ato janë më të prira të reformohen në përputhje me të. Plani i zgjerimit të BE-së është një ‘lojë me rrezik’, sepse çdo vend duhet të ketë një agjendë reformash dhe të punojë për të marrë dhe ruajtur mbështetjen financiare,” tha Pollozhani.

 

Kristijan Fidanovski, aktualisht kërkues në Institutin e Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike, mban titull doktorate nga Universiteti i Oksfordit në Departamentin e Politikave Sociale. Në këtë diskutim, ai ngriti çështjen e vetos së vazhdueshme që ndikon në procesin e integrimit evropian.

“Asnjë institucion funksional nuk operon mbi parimin e unanimitetit. Nuk më vjen ndër mend asnjë i tillë, jo vetëm në politikë por në përgjithësi. Kjo bëhet problematike, sidomos kur vendet e Ballkanit Perëndimor lejohet të anëtarësohen, pasi mund të vazhdojnë këtë cikël të shantazhit politik,” tha ai.

 

Përfshirja e Bullgarisë në kuadrin e negociatave përbën një zhvillim të rëndësishëm, sidomos për faktin nëse kjo sinjalizon që edhe vende të tjera mund të ndjekin të njëjtin shembull, vuri në dukje Pollozhani.
“Ky është një precedent që bisedimet dypalëshe mund të sillen në tryezë kudo dhe kurdo, gjë që hap shumë probleme të mundshme për të ardhmen, por edhe për të tashmen,” shtoi ajo.

 

 

Çfarë po bën Austria për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në përafrim me BE-në? 

Të dy studiuesit vlerësuan se Austria ka qenë shumë aktive në mbështetjen e përparimit të rajonit në procesin e anëtarësimit.

“Austria është bërë mjaft e pranishme në debatin publik në vendin tonë. Kryeministri ynë viziton shpesh Vjenën. Kjo tregon se Vjena mund të marrë një rol aktiv në ndërmjetësimin e situatës me Bullgarinë,” tha Kristijan Fidanovski.

“Në përgjithësi, pozicioni i Austrisë shihet pozitivisht në rajon. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme organizon shpesh aktivitete të lidhura me Ballkanin Perëndimor. Ekziston një linjë e qartë komunikimi dhe transparence,” përfundoi Lura Pollozhani.

 

Parlamenti austriak ka deklaruar se do të mbështesë aktivisht anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni mbetet në qendër të veprimtarive të politikës së jashtme të Parlamentit austriak. Gjashtë vendet ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit.

 

Më shumë

Eu Integration North macedonia Western balkans