Vienna, Austria | 22 korrik 2026
HAJDE

Albana Ejupi sjell "Body Under Construction" në Tiranë: trupi si projekt i pambaruar

Piktorja dhe skulptorja kosovare Albana Ejupi, e vendosur në Vjenë, ka hapur ekspozitën "Body Under Construction" në GOCAT – Gallery of Contemporary Art Tirana, që do qëndroj e hapur për publikun deri më 30 gusht 2026 në ambientet e Piramidës së Tiranës.
Publikuar më korrik 16, 2026Autori Majlinda Aliu
Albana 4

 

Zgjedhja e Tiranës si vend i hapjes nuk ka qenë e rastësishme. "Tirana nuk ishte thjesht destinacioni i radhës për këtë ekspozitë, por pjesë e vetë konceptit të tim," thotë Albana Ejupi. 

 

Ekspozita përfshin rreth 25 vepra, piktura, skulptura dhe instalacione, që bashkojnë pikturën, skulpturën, tekstilin dhe tekstin. Risia kryesore e kësaj ekspozite është cikli "Blues", i cili zhvendos vëmendjen nga trupi fizik tek trupi emocional në epokën digjitale. 

 

"Intimiteti nuk trajtohet si një histori personale, por si një gjendje shoqërore dhe politike," thotë Ejupi, duke shpjeguar se disa prej pikturave e përdorin vetë kanavacën si ekran, mbi të cilin shfaqen fragmente mesazhesh dhe fraza të ndërprera si "Social media killed romance" apo "Where is the love that you promised?" tekste që, sipas saj, nuk shpjegon imazhin, por e ndërpret ate, duke krijuar tension mes gjuhës dhe figurës.

Ekspozita e artistes Albana Ejupi "Body Under Construction" në GOCAT – Gallery of Contemporary Art Tirana- Photo credits: Bledar Hasimi

 

Për herë të parë, në këtë ekspozitë, prezantohet edhe një skulpturë monumentale prej rreth 300 kilogramësh, e ndërtuar tërësisht me rërë. 

"Ishte e rëndësishme që trupi i gruas të mos paraqitej si diçka e brishtë apo dekorative, por si një prani me peshë, jo vetëm peshën fizike të materialit, por edhe atë të historisë, kujtesës dhe roleve që shoqëria vendos mbi trupin. Skulptura, duket sikur lind nga vetë rëra," duke pasqyruar drejtpërdrejt idenë qendrore të ekspozitës: se trupi nuk është kurrë formë e përfunduar."

 

Ekspozita e artistes Albana Ejupi "Body Under Construction" në GOCAT – Gallery of Contemporary Art Tirana - Photo credits: Bledar Hasimi

 

Vetë titulli “Body Under Construction” buron pikërisht nga kjo bindje. "Nuk lindim kurrë të përfunduar," thotë Ejupi. 

"Gjatë gjithë jetës ndërtohemi nga familja, nga vendi ku rritemi, nga historia që trashëgojmë, nga dashuritë, humbjet, kujtimet.Për të, identiteti s'ka moment përfundimtar formimi, jemi vazhdimisht "under construction." 

 

Përmes materialeve si rëra, tekstili, gipsi dhe çimentoja, ajo përpiqet ta bëjë të dukshëm pikërisht këtë proces, duke e trajtuar trupin jo si objekt ideal, por si hapësirë ku lënë gjurmë historia, shoqëria dhe përvoja personale.

Ajo lidh praktikën e saj artistike me kërkimin e doktoraturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, ku studion mënyrën se si artistet nga Ballkani e kanë përdorur materialin si formë rezistence ndaj strukturave patriarkale. 

 

Ekspozita e artistes Albana Ejupi "Body Under Construction" në GOCAT – Gallery of Contemporary Art Tirana -Photo credits: Bledar Hasimi 

 

Materiali qendror i punës së saj është rëra, element që në rajon lidhet tradicionalisht me ndërtimin dhe ekonominë e pasluftës, punë historikisht e atribuar burrit. Ejupi e nxjerr këtë material nga konteksti i tij i zakonshëm dhe, në vend që të ndërtojë mure, ndërton trupa: 

"pikërisht ata trupa që shpesh janë lënë jashtë historive që këto struktura kanë ndërtuar." 

Ajo shpjegon se veprat marrin kuptim shtesë kur takohen me publikun që njeh nga afër historinë dhe dinamikat shoqërore që i kanë prodhuar.

 

Realizimi teknik i kësaj ekspozite nuk ka qenë i lehtë. Shumica e veprave kanë përmasa monumentale dhe kanë kërkuar paketim e transport të kujdesshëm, ndërsa sfida më e madhe ka qenë vetë skulptura 300-kilogramëshe, transportuar dhe montuar në bashkëpunim me ekipin e specializuar austriak Kunsttrans, tregon ajo. 

"Pas çdo ekspozite publiku sheh vetëm rezultatin, por pas tij qëndron një punë logjistike dhe teknike jashtëzakonisht e madhe," thekson ajo.

Në foto artistja Albana Ejupi, në ekspoziten "Body Under Construction" në GOCAT – Gallery of Contemporary Art Tirana-  Photo credits: Bledar Hasimi

 

Artistja shprehet e lumtur me pritjen që mori në Shqipëri, veçanrisht për faktin që reagimet nuk janë ndalur te dimensioni estetik, por kanë hyrë në diskutime mbi konceptin dhe materialin. “Shumë kanë theksuar se ekspozita ka sjellë "një standard të lartë konceptual dhe hapësinor" në prezantimin e artit bashkëkohor. Dhe arti nuk matet vetëm nga numri i vizitorëve, por nga dialogu që arrin të krijojë," thotë Ejupi. Kur publiku ndalet, reflekton dhe vazhdon të flasë për veprën edhe pas largimit nga galeria, "ndiej se vepra ka vazhduar jetën e saj përtej hapësirës ekspozuese."

 

Ekspozita ka hapur edhe kontakte të reja me institucione, kuratorë dhe koleksionistë, në Shqipëri e jashtë saj, bashkëpunime ende të pazyrtarizuara, por që artistja i sheh si "hapin e parë drejt projekteve të ardhshme." Kosova, thotë ajo, mbetet gjithmonë prioritet: "është vendi nga vij dhe ku ka filluar rrugëtimi im artistik." Aktualisht është në bisedime për projekte të ndryshme, me shpresën që së shpejti të realizohen bashkëpunime konkrete edhe atje, si vazhdim i një dialogu që e konsideron pjesë të rëndësishme të praktikës së saj artistike.

Më shumë

Arts Albanian Vienna