Vienna, Austria | 01 nëntor 2026
HAJDE

“Mendje” fiton Çmimin e Inovacionit nga Komisioni Evropian në Bruksel

Platforma e themeluar nga Arbnora Kllokoqi u përzgjodh si një nga gjashtë ndërmarrjet inovative të Ballkanit Perëndimor të vlerësuara këtë vit, duke përfaqësuar Kosovën në fushën e inovacionit dhe mbështetjes psikologjike.
Publikuar më tetor 28, 2026 • Autori Majlinda Aliu
Mendje-Award

 

Platforma Mendje, e cila synon ta bëjë mbështetjen psikologjike më të qasshme për shqiptarët në diasporë, është nderuar me Çmimin e Inovacionit nga Komisioni Evropian. Çmimi iu dorëzua themelueses Arbnora Kllokoqi nga komisionerja evropiane për Startup-e, Kërkim dhe Inovacion, Ekaterina Zaharieva, më 22 tetor 2026 në Bruksel.

 

Vlerësimi u bë gjatë Takimit Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkim dhe Inovacion, ku morën pjesë ministra të rajonit, përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe udhëheqës të institucioneve evropiane. Kllokoqi përfaqësoi Kosovën dhe prezantoi aplikacionin Mendje para ministrave dhe partnerëve nga rajoni dhe Evropa.

 

Në foto:  Arbnora Kllokoqi themeluese e platformës Mendje dhe komisionerja evropiane për Startup-e, Kërkim dhe Inovacion, Ekaterina Zaharieva 

 

 

“Dhimbja nuk përkthehet në asnjë gjuhë. Shumë shqiptarë jashtë vendit e mbajnë peshën e emigrimit në heshtje, dhe sot Evropa vlerësoi një nismë që e thyen këtë heshtje”, u shpreh Kllokoqi, duke ia dedikuar çmimin ekipit, psikologëve dhe përdoruesve të platformës.

 

Fituesit u përzgjodhën nga 18 ndërmarrje inovative, tri nga secila ekonomi e rajonit, në kuadër të iniciativës Ready4EICdhe Innovation Advisers’ Scheme. Përzgjedhja u realizua nga gjashtë qendrat rajonale të inovacionit dhe një juri ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë procesi u mbështet nga Innovation & Training Park Prizren.

 

Gjashtë fituesit e Ready4EICdhe Innovation Advisers’ Scheme dhe  komisionerja evropiane për Startup-e, Kërkim dhe Inovacion, Ekaterina Zaharieva (në mes)- Foto e realizuar nga Komisioni Evropian 

 

Mendje ofron qasje në një rrjet prej mbi 40 psikologësh të pavarur, të cilët ofrojnë këshillim online. Përdoruesit mund të zgjedhin vetë profesionistin me të cilin dëshirojnë të konsultohen. Aplikacioni përfshin gjithashtu meditime të udhëhequra në shqip, ushtrime të frymëmarrjes dhe materiale informuese nga ekspertë të shëndetit mendor.

 

Në një intervistë të mëparshme për HAJDE, Kllokoqi tregoi se ideja lindi nga përvoja personale dhe vështirësitë për të gjetur mbështetje psikologjike në gjuhën shqipe. Platforma synon të adresojë sfida si vetmia, stresi, marrëdhëniet familjare dhe vështirësitë emocionale që shoqërojnë migrimin.

Për më shumë informacion, vizitoni mendje.com.

Më shumë

Technology