Vienna, Austria | 21 korrik 2026
HAJDE

Platforma “Mendje” synon të bëhet ura psikologjike për diasporën shqiptare në gjithë botën

Themeluesja e platformës “Mendje” Arbnora Kllokoqi, për HAJDE tregon si u krijua kjo iniciativë, dhe pse beteja për shëndetin mendor të mërgatës është edhe personale.
Publikuar më korrik 15, 2026Autori Majlinda Aliu
Arbnora

Në Gjermani, vendin me komunitetin më të madh shqiptar në Europë, mijëra bashkatdhetarë kanë ndarë prej vitesh të njëjtën histori të heshtur: vetmi mes turmës, frikë për të kërkuar ndihmë, dhe ndjesinë se askush nuk e njeh vërtet botën nga vijnë. Nga kjo nevojë e përditshme lindi "Nuk Je Vetëm", fushata e platformës Mendje që ofron seanca online me psikologë shqipfolës

 

Nga heshtja e diasporës te lindja e fushatës

Ideja, thotë Arbnora Kllokoqi, nuk erdhi nga një analizë tregu, por nga bisedat dhe takimet me komunitetin në Gjermani, ku dëgjonin vazhdimisht të njëjtat histori njerëzish "që ndiheshin të vetmuar në mes të turmës" dhe kishin frikë t'ia tregonin dikujt. Shumë prej tyre kishin provuar terapi në gjermanisht, por ndiheshin të pakuptuar jo gjuhësisht, por kulturalisht: një psikolog që s'e njeh presionin e diasporës apo ndjenjën e fajit ndaj atyre që i ke lënë pas, sado profesionist, nuk mund të ndihmojë plotësisht. Mendje lidh shqipfolësit kudo në botë me psikologë të licencuar që flasin gjuhën dhe njohin kontekstin e tyre. "Nuk Je Vetëm", thotë Arbnora, nuk është slogan marketingu, por premtim: ekziston hapësirë për ty, dhe Mendje është ura që të çon atje.

 

Ambasada e Kosovës, aleatja institucionale

Bashkëpunimi me Ambasadën e Kosovës në Berlin ka qenë një ndër shtyllat e fushatës. Kur një institucion shtetëror mbështet një iniciativë të tillë, sipas Arbnorës, i dërgon komunitetit mesazhin se shëndeti mendor "është prioritet kombëtar, jo temë tabu". Për një platformë të re, prania e një institucioni të njohur hap dyer që një startup s'do t'i hapte dot vetëm, veçanërisht tek personat skeptikë që s'kanë provuar kurrë terapinë. Mbështetja ka ndihmuar organizimin e ngjarjeve fizike në Berlin dhe vendosjen e shëndetit mendor në agjendën institucionale. Ajo shpreson që kjo praktikë të përsëritet edhe me institucione të tjera shqiptare në Europë.

 

Vetmia që fshihet pas suksesit

Nga puna me mërgatën, Arbnora identifikon disa sfida emocionale që përsëriten me "rregullsi të dhimbshme". E para është vetmia, jo ajo e zakonshme, por ndjesia specifike e emigrantit që e ndien edhe kur jeta duket e organizuar nga jashtë, sepse rrjeti natyror i familjes dhe miqve zhduket me shpërnguljen. E dyta është presioni i suksesit: pritshmëria për t’u "dukur mirë gjithmonë" krijon një hendek midis asaj që tregohet jashtë dhe asaj që ndihet brenda. E treta është humbja e identitetit, ndjesia e të qenit mes dy botëve. Mbi to qëndrojnë barrierat klasike: gjuha, kostoja, stigma, që shpesh e mbajnë njeriun larg ndihmës edhe kur e di se ka nevojë.

Sipas saj, kultura shqiptare e ka lidhur prej brezash forcën me heshtjen: të pranosh vetminë shihet si dështim. Paradoksi, thotë ajo, është se sa më shumë heshtin njerëzit, aq më të izoluar ndihen, duke besuar se rasti i tyre është i veçantë. Në të vërtetë janë mijëra që ndajnë të njëjtën ndjenjë në heshtje, prandaj Mendje e ka bërë prioritet të flasë hapur për temën, sepse "normalizimi fillon me fjalë".

Emigrimi, shton ajo, matet zakonisht me para, shtëpi dhe punë, por rrallë dikush pyet si ndihesh realisht. Kjo mungesë kulture të të folurit hapur për ankthin dhe lodhjen ka pasoja konkrete: njerëz që funksionojnë me kapacitet të reduktuar dhe arrijnë në krizë para se të kërkojnë ndihmë. Hulumtimet dhe të dhënat e mbledhura nga vetë Mendje tregojnë qartë se mungesa e rrjetit mbështetës fizik është një nga shkaqet kryesore të ankthit dhe izolimit, diçka që rrjetet sociale digjitale nuk e zëvendësojnë dot.

 

Nga përvoja personale te platforma Mendje

Historia e Arbnorës është, siç thotë vetë, "ADN-ja" e platformës. Që në moshën 15-16 vjeç njerëz i drejtoheshin asaj për të biseduar, dhe gjithmonë e kishte tërhequr psikologjia, por në kohën e studimeve mendoi se s'kishte perspektivë dhe ndoqi biznesin. Mendje lindi më vonë, nga përvoja e saj personale me ankthin, dhe nga vështirësia për të gjetur burime në shqip: "kur miqtë e mi më shkruanin se nuk ishin mirë, dhe nuk flisnin anglisht, kuptova se diçka mungonte." Kur vetë kërkoi ndihmë profesionale, gjeti psikologë të mirë që megjithatë nuk e kuptonin plotësisht kontekstin, dinamikat e familjes shqiptare, presionin e diasporës, fajin ndaj atyre që ke lënë pas. Aty kuptoi se s'ishte e vetme, dhe se mijëra shqiptarë ndanin të njëjtin problem.

Të flasësh hapur për këto tema nuk qe e lehtë. "Jemi rritur me idenë se problemet mbahen brenda," thotë Arbnora, por shton se heshtja e saj do të kishte konfirmuar narrativën e rreme se vetëm ajo kishte probleme. Çdo mesazh mirënjohjeje nga dikush në diasporë e ka bindur se ky vendim ka qenë i duhuri.

 

Reagimet që kanë prekur ekipin

Përgjigjet e para nuk kanë qenë thjesht komente, por histori, nga Gjermania, Zvicra, Italia, SHBA-ja, Australia. Shumë kishin shkuar te psikologë lokalë, por shpenzonin energji duke shpjeguar kontekstin kulturor në vend që të fokusoheshin te vetja. Një mesazh e ka prekur veçanërisht ekipin: dikush shkroi se te dy psikologë në Gjermani ndihej sikur po "përkthente" jetën e vet, ndërsa te psikologu i Mendjes, për herë të parë, s'iu desh të përkthente asgjë.

 

Çfarë vjen më tej

Institucionet shqiptare dhe kosovare, thotë Arbnora, kanë një rol të nënvlerësuar: kur një ambasadë organizon një ngjarje për shëndetin mendor, jep mesazh zyrtar se tema ka peshë kombëtare. Po aq të rëndësishme janë figurat publike, sportistë, aktorë, sipërmarrës, që guxojnë të flasin për betejat e tyre, sepse stigma "thyhet me histori njerëzore", jo me statistika.

Për të ardhmen, Mendje planifikon zgjerimin e rrjetit të psikologëve me specializime më specifike (traumën e migracionit, sfidat e gjeneratës së dytë), pranin gjeografike përtej 9 vendeve aktuale drejt Zvicrës, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Kanadasë, si dhe ndërtimin e një lëvizjeje kulturore me histori dhe biseda të hapura. Iniciativa të ngjashme me "Nuk Je Vetëm" planifikohen edhe në vende të tjera me komunitet të madh shqiptar.

Mesazhi i saj për ata që po kalojnë të njëjtën gjë në heshtje është i qartë: ajo që ndiejnë "ka emër, dhe nuk është faji yt", një reagim njerëzor ndaj rrethanave objektivisht të vështira, jo dobësi. Dhe të kërkosh ndihmë, thekson Arbnora, kërkon po aq guxim sa të shkosh te mjeku kur ke dhimbje fizike: "Nuk je i vetëm, kurrë."

Më shumë

Diaspora Albanian Mental health